Qendra Klinike Universitare e Kosovës po e shqyrton mundësinë e shkëputjes së kontratës për servisimin e automjeteve, pasi sipas drejtorit Elvir Azizi, operatori ekonomik nuk i ka realizuar kërkesat për servisim.
Bordi i Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës ka diskutuar në mbledhjen e kësaj jave mbi çështjen e servisimit dhe mirëmbajtjes së automjeteve zyrtare, shkruan Gazeta Shneta.
Kjo çështje ishte iniciuar edhe në një mbledhje tjetër të Bordit, ku njëri nga anëtarët kishte theksuar se është vet dëshmitar i gjendjes jo të mirë të automjeteve. Madje ai edhe në mbledhjen e fundit ka ripërsëritur se ka parë një automjet zyrtar me xham të dëmtuar por që ishte ngjitur vetëm me ngjitës.
Për këtë çështje ka raportuar drejtori ekzekutiv i SHSKUK-së Elvir Azizi. Ai ka thënë se pas krijimit të komisionit dhe vlerësimit të kontratës, është konstatuar se ka pasur mos realizim të kërkesave për serivisim dhe sanim të dëmtimeve.
“Janë konfirmuar mos realizimi i kërkesave për servisim dhe sanim të dëmtimeve”, ka thënë Azizi.
Për këtë arsye ai ka bërë të ditur se po shqyrtohet mundësia për të shkëptur kontratën me operatorin ekonomik. “Vërejtje të shumta në kontratën për mirëmbajtjen e automjeteve, shqyrtohet mundësia për shkëputjen e kontratës”, ka deklaruar Azizi.
QKUK në dhjetorin e vitit të kaluar ka lidhur kontratë për servisimin dhe mirëmbajtjen e automjeteve me kompaninë “Sfishta auto home”. Nga kjo kompani në një deklaratë për media para disa javësh është thënë se faji nuk qëndron tek ta, duke u arsyetuar se QKUK nuk ka parashtruar kërkesa për servisimin e automjeteve. /Gazeta Shneta/




