Qendra Klinike Universitare e Kosovës po rrezikon të mbetet pa oksigjen pasi sot do t’i skadojë kontrata dhe nuk dihet se kur do të ripërtërihet. Kontrata e vjetër ka qenë e negociuar dhe QKUK po planifikon që kontratën tjetër ta bëj të hapur
Kjo është konfirmuar nga vet drejtori i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar i Kosovës Dr. Basri Sejdiu, pasi është pyetur nga deputeti i LDK-së onkologu Dr. Ekrem Hyseni, shkruan Gazeta Shneta.
“Furnizimi me gaz kontrata skadon nesër. Fatkeqësisht kemi vetëm një kompani dhe tani çmimi është më i lart për shkak të taksës. Na është imponuar”, ka deklaruar Sejdiu.
Ai ka thënë se janë në pritje për të marr rekomandime edhe nga Ministria e Shëndetësisë se si të dilet nga kjo situatë, pasi shpresojnë që do të hiqet edhe taksa në mënyrë që të ulet edhe çmimi.
Deputeti Hyseni poashtu ka ngritur çështjen e respitarorëve, të cilët janë shndërruar në shqetësim për vendet ku është përhapur koronavirusi sikurse në Itali ku po përzgjidhen pacientët për t’u futur në respirator.
Sejdiu ka thënë se QKUK aktualisht ka 20 respiratorë rezervë dhe në rast nevoje mund t’i përdorë disa prej tyre në Klinikën Infektive në disa dhoma të cilat janë të lidhura me sistemin qëndror të oksigjenit.
Sejdiu poashtu ka thënë se planifikojnë që në rast nevoje respiratorët të vendosen edhe në objektin e ri të Klinikës së Mjekësisë Fizikale, i cili ende nuk ka përfunduar.
Por për këtë plan ka ngritur pikëpytje kirurgu i QKUK-së Dr. Baton Kelmendi. “Po deklarohet që në rast te epidemise se corona virusit, respiratorët do të dërgohen në objektin e mjekësisë sportive! A ka objekti i mjekësisë sportive oksigjen qendror? Respiratori pa te nuk funksionon!”, ka shkruar mjeku, i cili është edhe zyrtar i Lëvizjes Vetëvendosje.
Por Sejdiu në një sqarim për Gazetën ka thënë se ky është një plan B dhe në atë objekt mungon vetëm lidhja e energjisë elektrike, gjë që mund të rregullohet shpejt në rast nevoje. Sipas tij javën tjetër pritet të bëhet pranimi teknik i objektit. /Gazeta Shneta/