Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” do të shpall konkursin për shefat e rinj të shërbimeve në muajin maj.
Burime për Euronews Albania bëjnë me dije se të gjithë aplikantët për postet e drejtuesve të shërbimeve në qendrën më të madhe spitalore në vend do të dorëzojnë dosjet e tyre nga data 12 deri në 17 maj.
Janë një sërë kriteresh që do të duhet të plotësojë një aplikant për t’u kualifikuar në garë, një ndër më kryesorët është të ketë titullin profesor.
Më pas do të jetë komisioni i kryesuar nga drejtoresha e këtij institucioni, Albana Fico që do të marrë vendimin se kush do të shpallet fitues për çdo shërbim.
Mësohet se në këtë garë për t’u bërë shef shërbimi duket se nuk do të jetë shumë nga emra e profesorëve, të cilët ndër vite kanë drejtuar shërbimet në QSUT.
Shërbimet në Qendrën spitalore universitare “Nënë Tereza” janë të ndarë në 5 sektorë.
Sektori mjekësor, i cili ka në vetvete 13 shërbime;
Sektori kirurgjikal me 11 shërbime;
Sektori pediatrik me 8 shërbime;
Sektori neuro-psikiatrik me 4 shërbime;
Sektori diagnostik me 6 shërbime.
Emërimi i shefave të rinj pritet të bëhet në muajin shtator.