Varianti i ri i Coronavirusit, i njohur si “Mu”, ka arritur në disa vende të Evropës. Sipas infektologut Hamdi Ramadani ende nuk ka të dhëna të sakta rreth mundësisë së infeksionit dhe përhapjen e këtij virusi.
Infektologu Ramadani tha për Ekonomia Online, se brenda këtij muaji Organizata Botërore e Shëndetësisë do të dalë me të dhëna rreth mutacioni kolumbian “Mu”.
OBSh-ja ka klasifikuar variantin “Mu” të Coronavirusit si “variant që duhet të monitorohet nga afër”.
“Coronavirusi është një virusi që bënë mjaft ndryshime e që e quajmë në mjekësi mutagjene dhe është e pritshme. Prej janarit flitet që është një lloj varianti i Coronavirusit që po quhet si ‘MU’, i cili është i raportuar në disa vende të Evropës. Mirëpo të dhënat e deritashme nga OBSh e kanë bërë që ky variant që ne e quajmë observim klinik dhe shkencor ende nuk ka diçka të madhe për këtë virus sepse nuk e dimë nëse do të jetë i transmetueshëm apo nëse do të jetë më i përhapur ose e kundërta”.
“Por, brenda këtij muaji OBSh do të dalë me të dhëna për mundësinë e infeksionit dhe përhapjen e këtij virusi sepse mund të jetë në thonjëza rezistent në ndonjë vaksinë anti-Covid. Deri më sot është dokumentuar se vaksina anti-Covid e bërë në dy doza qytetari është i mbrojtur nga çdo variant edhe nga variant Delta i cili është mjaft i përhapur. Të gjitha rastet me sëmundshmëri të lartë dhe vdekshmëri nuk kanë qenë të vaksinuar dhe imunizuar me vaksinën anti-Covid. Vetëm ai vend që arrin 75% të vaksinimit do ta ulë si infeksion ashtu edhe vdekshmërinë”, tha Ramadani.