Raporti i Progresit i Komisionit Evropian për Kosovën për vitin 2024 nuk ka vlerësuar progres në sektorin e kujdesit shëndetësor publik.
Ky raport edhe sivjet e ka cilësuar si shqetësuese cilësinë e kujdesit shëndetësor në institucionet shëndetësore dhe ndonëse ka pasur rritje të buxhetit, sërish buxheti për shëndetësi në Kosovë është më i ulëti në rajon, shkruan Gazeta Shneta.
“Në fushën e shëndetit publik, cilësia e kujdesit shëndetësor mbetet një shqetësim. Edhe pse Kosova i ka shtuar buxhetit për kujdesin shëndetësor rreth 14.2% në vitin 2024 krahasuar me vitin 2023, shpenzimet për shëndetësinë si pjesë e PBB-së mbeten të dytat më të ulëta në rajon dhe dukshëm më të ulëta se mesatarja e BE-së”, thuhet në raport.
Tutje vlerësohet se investimet që janë bërë në blerje nuk janë strategjike dhe nuk kanë sjellë efikasitet dhe rezultate në shëndetin e qytetarëve. Gjithashtu sërish theksohet vdekshmëria e lartë e foshnjave.
“Nuk ka një blerje strategjike, duke sjellë pasoja me mungesë efikasiteti dhe rezultate të dobëta në shëndet. Jetëgjatësia në lindje në Kosovë mbetet më e ulëta në rajon dhe normat e vdekshmërisë foshnjore janë më të lartat në rajon. Shpenzimet private për shëndetësinë mbeten shumë të larta (të vlerësuara mes 30%-40%). Kosova ka një sistem ekzistues informacioni për e-shëndetin, por nuk përdoret nga të gjitha institucionet shëndetësore; në vitin 2024, u miratua një plan veprimi ambicioz për një sistem të integruar të informacionit shëndetësor për të përmirësuar disponueshmërinë e të dhënave dhe politikëbërjen e bazuar në fakte”, thuhet në raport.
Në vazhdim raporti ka theksuar se legjislacioni për gjakun, indet, qelizat dhe organet nuk është në përputhje të plotë me legjislacionin e BE-së, si dhe thekson nevojën për zbatimin e ligjit për kontrollin e duhanit.
Shërbimet e shëndetit mendor mbeten të integruara, kurse për sëmundjet ngjitëse theksohet miratimi i Ligjit për parandalimin dhe kontrollin e këtyre sëmundjeve sipas rekomandimeve të ECDC-së.
“Kosova ka një program për depistimin e kancerit, por depistimi i kancerit nuk kryhet në mënyrë sistematike dhe nuk ka një regjistër funksional të kancerit. Sëmundjet jo-ngjitëse janë shkaku kryesor i vdekjeve. Kosova nuk ka bërë përparim në fushën e ushqyerjes dhe aktivitetit fizik”, thuhet në raport.
Në raport është përmendur edhe çështja e shitjes së antibiotikëve pa recetë mjekësore, për çka është kërkuar zbatimi i legjislacionit.
“Pabarazitë në shëndetësi mbeten një shqetësim serioz. Mungesa e rregullimeve të duhura të financimit shëndetësor ka penguar përparimin drejt mbulimit shëndetësor universal dhe ka kontribuar në pagesat e larta të vazhdueshme private. Barra financiare ka qenë veçanërisht e rëndë për segmentet më të brishta dhe të varfra të shoqërisë së Kosovës, duke përfshirë njerëzit me sëmundje kronike që kanë nevojë për medikamente në mënyrë të rregullt. Në lidhje me antikorrupsionin, Ministria e Shëndetësisë, me mbështetjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit të Kosovës dhe USAID-it, miratoi një plan të integritetit institucional me qëllim të rritjes së llogaridhënies dhe transparencës institucionale”, thuhet në raportin e progresit. /Gazeta Shneta/




