Një raport i rëndësishëm shkencor mbi efektivitetin e vaksinave kundër COVID-19 nuk është publikuar, pavarësisht se kishte kaluar fazat fillestare të shqyrtimit, duke ngritur pikëpyetje mes ekspertëve.
Studimi, i realizuar nga Centers for Disease Control and Prevention, kishte gjetur se vaksinat reduktonin rreth 50% vizitat në urgjencë dhe shtrimet në spital tek të rriturit e shëndetshëm gjatë dimrit të kaluar.
Raporti ishte planifikuar të publikohej më 19 mars në buletinin zyrtar shkencor të CDC-së, por pas disa vonesave u refuzua për publikim, sipas raportimit të The Washington Post.
Zyrtarët kanë deklaruar se vendimi u mor për shkak të shqetësimeve lidhur me metodologjinë e përdorur në studim, konkretisht mënyrën vëzhguese të llogaritjes së efektivitetit të vaksinës, shkruan Healthday transmeton Gazeta Shneta.
CDC drejtohet nga Jay Bhattacharya, i cili më herët kishte shprehur rezerva për këtë raport. Ndërkohë, një zëdhënës i U.S. Department of Health and Human Services konfirmoi se vlerësimi editorial kishte identifikuar probleme metodologjike dhe për këtë arsye raporti nuk u pranua për publikim.
Megjithatë, burime të brendshme, të cituara në mënyrë anonime, kanë bërë të ditur se studimi kishte kaluar më parë shqyrtimin shkencor brenda CDC-së, përpara se të ndalohej.
Vendimi ka ngjallur reagime, pasi ish-zyrtarë e cilësojnë një veprim të pazakontë ndërprerjen e publikimit në këtë fazë.
Michael Iademarco është shprehur se nuk mban mend një rast të tillë, ku një raport të ndalet pas miratimit shkencor dhe rishikimit editorial.
Disa ekspertë aktualë dhe ish-zyrtarë shprehin shqetësimin se gjetjet që tregojnë efektivitetin e vaksinave mund të bien ndesh me qasjet aktuale politike ndaj përdorimit të tyre.
Ndërkohë, Sekretari amerikan i Shëndetësisë, Robert F. Kennedy Jr., i njohur për qëndrimet kritike ndaj vaksinave kundër COVID-19, ka deklaruar se synon më shumë transparencë dhe zgjedhje për qytetarët.
Rasti ka hapur debat mbi ndërhyrjen e mundshme politike në publikimin e të dhënave shkencore dhe transparencën në institucionet shëndetësore.




