Një grua 37-vjeçare është pranuar në Spitalin e Përgjithshëm “Sami Haxhibeqiri” në Mitrovicë pas një gjakderdhjeje të rrezikshme nga shtatzënia jashtë mitrës, një rast që ndodh në 2–4% të shtatzënive jashtë mitrës.
Sipas njoftimit, pacientja B. SH. u paraqit në gjendje të rëndë, me humbje masive gjaku dhe vetëdije të çrregulluar. Pas ekzaminimeve laboratorike dhe ultrasonografike, u diagnostikua shtatzënia ektopike cornuale, e cila kërkonte ndërhyrje urgjente.
“Falë reagimit të shpejtë, profesional dhe të koordinuar të stafit të Shërbimit Emergjent, në bashkëpunim me ekipin kujdestar të Repartit të Kirurgjisë, Gjinekologjisë dhe Anestezionit, Transfuzionit të Gjakut, si dhe shërbimeve mbështetëse, u mor vendimi jetik për kryerjen e një laparotomie urgjente, e cila u realizua me sukses. Ndërhyrja në kohë rezultoi vendimtare për shpëtimin e jetës së pacientes.” thuhet në njoftim.
Stafi i përfshirë përbëhej nga: Dr. Mirjeta Binakaj, infermierët Valdete Maliqi, Saranda Rexha, Basri Grepi dhe Musa Peci; specialistët e gjinekologjisë Dr. Arben Hajrizi, Dr. Vjollca Çitaku dhe Dr. Lindita Uka-Musaj; specialiste e kirurgjisë, anesteziologu Dr. Arber Bardhaj, teknikët e anestezionit Musa Kurti dhe Selvet Haziri, si dhe instrumentaret Nurgji Çuni dhe Liridona Peci./Gazeta Shneta/




