Reagimi i MSH-së për tenderët e negociuar: Kemi marr leje nga KRPP, i kemi ftuar Krimet Ekonomike

2020-04-26 në ora 21:32

Ministria e Shëndetësisë ka dal me një reagim pas raportimit për kontratat e negociuara për furnizim emergjent me materiale dhe barna për situatën me koronavirus Covid-19.

MSH ka deklaruar se para se të fillonte procedurat, Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik ia kishte dhënë të drejtën MSH-së që të bënte blerje emergjente me qëllim të sigurimit sa më të shpejt të materialeve mbrojtëse për profesionistët shëndetësorë dhe qytetarëve, transmeton Gazeta Shneta.

Poashtu MSH ka thënë se për mbikëqyrjen e këtyre kontratave ka ftuar të gjitha organet e hetuesisë që të hetojnë çdo shkelje të mundshme në procedurat e prokurimit publik.

Reagimi i plotë:

Ministria e Shëndetësisë e Republikës së Kosovës, u ka bërë thirrje që nga fillimi i pandemisë Covid-19 të gjitha organeve mbikëqyrëse të Prokurimit Publik, Autoritetit Kosovar të Konkurrencës dhe Policisë së Kosovës-Njësisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike që të hetojnë çdo shkelje të mundshme në procedurat e prokurimit publik ku autoritet kontraktues është kjo ministri​

Prishtinë, 26. 04. 2020

Ministria e Shëndetësisë e Republikës së Kosovës, përmes Ministrit Arben Vitia, u ka bërë thirrje që nga fillimi i pandemisë Covid-19 të gjitha organeve mbikëqyrëse të Prokurimit Publik, Autoritetit Kosovar të Konkurrencës dhe Policisë së Kosovës-Njësisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike që të hetojnë çdo shkelje të mundshme në procedurat e prokurimit publik ku autoritet kontraktues është Ministria e Shëndetësisë. Kjo për shkak të situatës emergjente të shëndetit publik dhe për të reaguar sa më shpejtë për çdo shkelje potenciale.

Që me shpalljen e situatës Emergjente të Shëndetit Publik, përmes një vendimi, Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik, i ka dhënë të drejtën Ministrisë së Shëndetësisë që, për qëllime të sigurimit sa më të shpejtë të materialeve mbrojtëse për ruajtjen e shëndetit të profesionistëve shëndetësor dhe popullatës nga Covid-19 të zhvillojë procedura të negociuara të prokurimit publik.

Përkundër kësaj, MSh ka ftuar në secilën procedurë të zhvilluar të prokurimit publik sa më shumë kompani pjesëmarrëse me qëllim të respektimit të konkurrencës dhe nxjerrjes së çmimeve sa më të favorshme me qëllim të ruajtjes së buxhetit të taksapaguesve kosovarë. Para çdo procedure të zhvilluar, Komisioni për vlerësimin e çmimeve ka dalë në teren për verifikimin e tyre vetëm që mos të krijohen mundësi potenciale të fryrjes artificiale të çmimeve.

Prandaj, të njëjtën thirrje, MSh e bën edhe sot, jo vetëm për institucionet e lartpërmendura, por për të gjitha palët e interesuara, përfshirë edhe mediat dhe shoqërinë civile, që të monitorojnë e raportojnë çdo shkelje eventuale, e cila konfirmohet. Gjithashtu sipas Ligjit për Qasje në Dokumente Publike, secili qytetar, organizatë, shoqëri civile, mediat dhe palë të tjera të interesuara, kanë të drejtën për të pasur qasje në secilën kontratë. Dhe çdo këshillë, vërejtje, kritikë apo edhe shkelje eventuale do të adresohet në mënyrën më të shpejtë përmes mekanizmave ligjor pa marrë parasysh se për çfarë dhe për kë bëhet fjalë.

Përtej kësaj qasje, MSh rikujton se hamendësimet, dyshimet e pabazuara dhe aludimet me qëllime të ulëta përmes emisioneve e deklaratave të ndryshme të individëve nuk përbëjnë fakte, e as nuk janë argumente për të provuar të goditet një institucion, i cili gjatë kësaj kohe, ka mobilizuar të gjitha resurset e veta në menaxhimin korrekt të situatës epidemiologjike dhe ruajtjes së shëndetit të qytetarëve.

Rezultatet e deritanishme, flasin në drejtim të realizimit të këtij objektivi, përkundër vështirësive.

MSh do të insistojë që çdo pretendim i hedhur nga secila palë të ndriçohet dhe do të jetë në gjendje të ndërmarrë masa ndaj çfarëdo shkeljeje eventuale nga ana e cilit do zyrtar të saj, por i rikujton të gjithë ata që plasojnë dezinformata dhe shpifje, sidomos në këtë kohë pandemie, që edhe këto janë akte të dënuara me ligjet në fuqi.

Puna me përkushtim dhe transparencë e MSh-së do të vazhdojë me të njëjtin përkushtim për mbrojtjen e shëndetit publik të gjithë qytetarëve të Kosovës.