Zëdhënësi i Shërbimit Spitalor Universitar të Kosovës, Shpend Fazliu, ka reaguar pas raportimit të disa mediave ku është publikuar dokumenti i pagës së tij. Në këtë dokument Fazliu është i pozicionuar si mjek specialist, por i njëjti mohon të ketë këtë pozitë.
Fazliu ka deklaruar se nuk është mjek specialist, por është Përgjegjës i Zyrës për Media, ndërsa ka thënë se asnjëherë nuk ka marr shtesa, ndonëse ka punuar jashtë orarit.
“Një tekst i botuar dje në portalin Indeksonline, ku flitet për listën e pagave në QKUK, në të cilën titulli im figuron si mjek specialist, ndonëse unë kryej detyrën e përgjegjësit të Zyrës për Informim, është marrë nga portali gazeta shëndeti dhe është publikuar me tendecë kinse unë marr rrogë tjetër për dallim me funksionin që ushtroj”, ka shkruar Fazliu, transmeton Gazeta Shneta.
Postimi i tij i plotë:
Të nderuar miq, kolegë gazetarë dhe punëtorë të QKUK-së,
Një tekst i botuar dje në portalin Indeksonline, ku flitet për listën e pagave në QKUK, në të cilën titulli im figuron si mjek specialist, ndonëse unë kryej detyrën e përgjegjësit të Zyrës për Informim, është marrë nga portali gazeta shëndeti dhe është publikuar me tendecë kinse unë marr rrogë tjetër për dallim me funksionin që ushtroj.
Sa për sqarim, unë marr rrogën në përputhje me kontratën e cila m’i obligon detyrat dhe përgjegjësitë në vendin e punës.
Prandaj, deklaroj me përgjegjësi të lartë ligjore, morale e intelektuale që për 11 vjet të punës sime nuk kam marrë asnjë cent shtesë, përkundër faktit që kam punuar jashtë orarit të punës.
Kjo mund të verifikohet edhe në sistemin e pagave në Ministri të Financave dhe në QKUK.
Koeficienti i pagës sime është 8.4 dhe unë jam përgjegjës i Zyrës për Media dhe jo mjek specialist.
Sinqerisht,
Shpend Fazliu
Përgjegjës i Zyrës për Media dhe Marrëdhënie me Publikun- QKUK




