Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik (IKSHPK) ka njoftuar se është rritur niveli i manganit në ujin e Ujësjellësit Rajonal KRU “Prishtina” që vjen nga Liqeni i Badovcit, kësisoj ka rekomanduar që uji të mos përdoret për pije, por vetëm për higjienë personale dhe ambientale.
IKSHPK thotë se vlerat e manganit në ujë kanë tendencë për rritje të vazhdueshme, prandaj rekomandon të mos konsumohet për pije.
Tutje, IKSHPK thotë se bazuar në të dhënat e deritashme, paraqitja e “fenomenit” te Manganit në Liqenin e Badovcit është dukuri e vazhdueshme, e cila ndodh kryesisht në kohën e ndrrimit të stinëve.
“Kjo dukuri në vitin e kaluar ishte shqetësuese, sepse përveç vlerave të shtuara të Manganit 2valent, u shoqërua edhe me kohëzgjatje të këtij fenomeni”.
“Edhe pse Mangani konsiderohet një lëndë ushqyese thelbësore dhe kontribuon në shumë funksione trupore, duke përfshirë metabolizmin e aminoacideve, kolesterolit, glukozës dhe karbohidrateve, në formimin e kockave, mpiksjen e gjakut dhe reduktimin e inflamacionit, vlerat mbi 50 µg/L në ujin e pijshëm sillet si ndotës dhe ka ndikim të dëmshëm në shëndet, e posaçërisht tek fëmijët deri në 5 vjeç”, thuhet në njoftim
Duke pasur parasysh rezultatet e lartpërmendura, IKSHPK ka rekomanduar ndërkaq KRU “Prishtina” që:
• Të kontrollohet procesi i dezinfektimit në mënyrë që vlera e Cl rezidual të jetë 0.1-0.2mg/L, e cila garanton cilësinë e ujit në aspektin bakteriologjik dhe në të njëjtën kohë ndihmon në proceset oksido-reduktive;
• Të përcjellët ndotja organike (TOC) në ujin e liqenit dhe në rrjetin shpërndarës;
• Zbatimi i procedurave standarde për situatën e krijuar në të gjitha fazat e trajtimit të ujit;
• Shpërlarja e rrjetit shpërndarës – gypave magjistral;
• Shpërlarja e rrjetit shpërndarës – segmenteve të vogla;
• Të sigurohet ujë higjienik për pije për qytetarët.
IKSHPK njofton se deri me datën 02.10.2024 në rezultatet e mostrave të marra sipas planit të Monitorimit për ujin e pijshëm, nuk ka pasur mostra që kanë rezultuar me vlera të shtuara të manganit mbi standardin e paraparë (0.05 mg/L) sipas Udhëzimit Administrativ Nr: 10/2021 “Për cilësinë e ujit të destinuar për konsum nga njeriu”.




