Ish-ministri i Shëndetësisë dhe deputeti i LDK-së, Imet Rrahmani, ka deklaruar se projektligji i sjellë nga Qeveria në Kuvend nuk ka pasur mundësi të përmirësohet nga Komisioni Parlamentar për Administratë.
Rrahmani e quan të gabuar këtë version të projektligjit, dhe thotë se në një periudhë një ose dy vjeçare duhet të rishikohet sektori i shëndetësisë.
“Mendimi im personal është se në nje periudhë një apo dy vjeçare imponohet një rishqyrtim i sektorit të shëndetësisë, për të siguruar trajtim të barabartë të të gjithëve, për të siguruar paga dinjitoze për sektorin e infermierisë, respektimin e përgatitjes shkollore dhe specifikave të profesionit që ushtrojnë”, ka deklaruar ish-ministri.
Infermierët në këtë projektligj janë ndarë në vetëm dy kategori, varësisht në cilin nivel punojnë, ndërsa nuk janë kategorizuar sipas shkollimit ashtu siç edhe kanë kërkuar.
Rrahmani thotë se trajtimi i barabartë i sektorit të shëdentësisë kërkon respektimin e specifikave të organizimit në tri nivele, marrjen parasysh të specifikave në mes specializimeve, specifikave në stafin e mesëm dhe në lidhjen e veçantë me fakultetet e profesioneve mjekësore.
“Ne kemi votuar procedurën me shku tutje ky version. Gjatë diskutimeve ne Komision kemi paraqit te gjitha vërejtjet. Kemi analizuar edhe amendamentet e ndryshme për sektorin, dhe kemi vendosur për këto variante si të mundshme për momentin. Pozitive është ngritja e pagave për mjek dhe i infermier, por problematika e shëndetësisë mbetet e hapur edhe më tutje”, ka theksuar Rrahmani.
Ai ka shtuar se kriteri “ paga e njëjtë për punë të njëjtë” e ka eliminuar mundësinë e vlerësimit të shkollimit. “Njëjtë edhe mjeket me tituj shkencor që nuk janë të kyçur në proces mësimor ne Fakultet të Mjekësisë nuk kanë përfitua nga titulli. Paguhen vetëm si specialist”, ka përfunduar specialisti i mjekësisë emergjente, Imet Rrahmani. /Gazeta Shneta/