Në Klinikën e Gjinekologjisë në QKUK ekziston një rregullore që disa vite e cila e përcakton mënyrën se si trajtohen rastet e foshnjave të cilat lindin pa shenja jete.
Gazeta Shneta ka biseduar me zyrtarë të QKUK-së të cilët kanë treguar se disa vite më parë është nënshkruar një rregullore në bazë të së cilës Klinika e Gjinekologjisë bashkëpunon me Institutet Paraklinike dhe Morgun, për rastet e foshnjave të cilat lindin pa shenja jete.
Në bazë të kësaj rregullore e cila është e njohur për stafin e Gjinekologjisë, kur një foshnje lind pa shenja jete mbi javën e 22-të vendoset në një pako me numrin serik të dorës dhe pritet deri në dy orë para se të dorëzohet tek prindërit.
Me kërkesë të prindërve dhe me nënshkrimin e tyre, trupi i pajetë i foshnjës mund të qëndrojë në Klinikë deri në ditën e ardhshme dhe më pas të tërhiqet.
Nëse prindërit nuk dëshirojnë të marrin trupin e vdekur, atëherë dorëzohet në Morgun e QKUK-së ku qëndron në pritje për një muaj e më pas bëhen procedurat e varrimit.
Në Spitalin e Pejës javën e kaluar ka ndodhur një skandal i tmerrshëm me rastin e një foshnje të lindur pa shenja jete. Trupi i saj u vendos në një dhomë ku u ngatërrua me çarçafë dhe u fut në rrobalarëse nga punonjësit e spitalit.
Për këtë rast janë hapur hetime nga Policia e Kosovës. Në SHSKUK rasti ishte tentuar të mbahej i fshehtë deri në tetë ditë. Rasti u bë publik dje në media. Drejtuesit e Spitalit të Pejës kanë deklaruar se kishin njoftuar menaxhmentin e SHSKUK-së dhe MSH-së. Përveç suspendimit të shtatë punonjësve në spitalin e Pejës, disa mami dhe pastruese, deri më tani nuk ka asnjë dorëheqje apo shkarkim në nivelet menaxheriale. /Gazeta Shneta/