Në Klinikën e Urologjisë në QKUK trajtohen për thyerje të gurëve në veshka rreth 80 pacientë brenda një muaji. Mosha e pacientëve me këtë problem shëndetësor është ndërmjet 30 deri 50 vjeçare
Pacientja T.G. u frikësua shumë para se të hynte në sallën operative ku thyhen gurët në veshka me aparaturën ESWL në Klinikën e Urologjisë në QKUK. Ajo do të kryente një seancë rreth gjysmë ore ku valët hidraulike do të depërtonin deri në veshkën e saj për të shembur gurët.
Stafi mjekësor komunikonte vazhdimisht me të, për ta kuptuar nëse po ndien dhimbje gjatë procesit. Pasi përfundoi, T.G. tha se ndjeu vetëm pak dhimbje e me rëndësi është se guri u thye.
“Nga çfarë më kishin treguar njerëzit, kisha frikë para se të hyja në sallë. Por ndjeva vetëm pak dhimbje. Falënderoj stafin që janë treguar shumë të mirë ndaj meje, kujdesi i tyre ishte sikurse të isha pjesë e familjes”, ka thënë T.G, shkruan Gazeta Shneta.
Aparatura Litotripsia Ekstrakorporale me shok – valë hidraulike (Video ⬇) është funksionalizuar nga viti 2001 në Urologji. Kjo është e vetmja në kuadër të SHSKUK-së dhe aty trajtohen pacientët nga e gjithë Kosova.
Drejtori i Klinikës, Dr. Rexhep Kasumaj, thotë se me këtë metodë trajtohen mbi 70 për qind e pacientëve me gurë në veshka dhe në pjesën proksimale të ureterëve. Brenda ditës janë mesatarisht 5 pacientë, ndërsa për një muaj numri i tyre shkon në 80. Te një numër i tyre është e nevojshme edhe përsëritja e procedurës.
Kasumaj thotë se kjo metodë mundëson trajtimin shumë më të lehtë të pacientit, shmangë ndërhyrjen kirurgjike si dhe kursen kohën dhe shpenzimet.
“Me këtë rast janë kursye shumë të holla të cilat do të shpenzoheshin sikur te këta pacientë do të realizoheshin ndërhyrje kirurgjikale. Dhe vlera e shpenzimeve do të ishte shumëfish më e madhe se sa vetë vlera e aparatit. Nga ana tjetër, pacientët kursehen nga ndërhyrja kirurgjikale e cila fillon në nivel të brinjës së 12-të duke shkuar lehtësisht pjerrtazi në gjatësi rreth 12 cm, duke prerë tre shtresa të muskujve për të arritë deri te veshka. Nganjëherë për të pasur hapësirë më të madhe resekohet edhe brinja e 12-të”, shpjegon Kasumaj.
Një ndërhyrje e tillë kirurgjike do të ishte mjaft e rëndë dhe do të merrte shumë kohë deri në rehabilitimin e plotë duke i shkaktuar shumë vuajtje pacientit.
“Falë kësaj aparature, në Klinikën e Urologjisë, është zvogëluar dukshëm numri i ndërhyrjeve kirurgjikale, edhe pse urolitiaza (gurët në veshka) është gjithnjë aktuale, me shpërndarje te gjerë dhe njëra ndër sëmundjet më të rënda të gjinisë njerëzore, ku shumë njerëz bëhen të pa aftë dhe veçohen nga puna dhe jeta normale”, thotë Dr. Kasumaj.
Ai ka treguar se gurët në veshka paraqiten më së shumti tek moshat 30 deri 50 vjeçare, pasi kjo është periudha më produktive e jetës. /Gazeta Shneta/