Gjatë ditëve të vikendit, Qendra Emergjente në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës ka trajtuar rreth 900 pacientë, duke u përballur me një ngarkesë të madhe pune.
Sipas njoftimit, gjatë kësaj periudhe janë realizuar 194 raste reanimimi, 302 trajtime internistike, 183 raste ortopedike, 137 raste kirurgjike, si dhe 33 intervenime të vogla.
Po ashtu, 61 raste kanë qenë pacientë të aksidentuar, përcjell Gazeta Shneta.
Të gjitha shërbimet janë ofruar nga ekipet e mjekëve specialistë dhe infermierëve të Qendrës Emergjente, të cilët kanë qenë në gatishmëri të vazhdueshme për trajtimin e rasteve urgjente.
Nga QKUK bëhet e ditur se një pjesë e konsiderueshme e pacientëve janë paraqitur drejtpërdrejt në Qendrën Emergjente, duke anashkaluar shërbimet shëndetësore parësore dhe dytësore.
Në këtë kontekst, Qendra Klinike Universitare e Kosovës u ka bërë thirrje qytetarëve që rastet jo emergjente të drejtohen fillimisht në qendrat e mjekësisë familjare apo në spitalet rajonale, në mënyrë që Qendra Emergjente të mbetet e rezervuar për rastet serioze dhe kërcënuese për jetën.
Sipas QKUK-së, bashkëpunimi i qytetarëve është thelbësor për të siguruar ofrimin e kujdesit shëndetësor në kohë për pacientët që janë në rrezik të drejtpërdrejtë për jetën./Gazeta Shneta/




