Nga janari deri në fund të qershorit të këtij viti, në Klinikën e Gjinekologjisë dhe Obstetrikës në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) janë kryer 3,435 lindje.
Drejtori i Klinikës, Dr. Zef Ndrejaj, thotë se lindjet me prerje cezariane janë në rritje dhe se në këtë ndikojnë disa faktorë, duke filluar nga natyra e rasteve që trajtohen në QKUK e deri te kërkesat e pacienteve dhe presionet nga familjarët
Në një intervistë për Gazetën Shneta, Ndrejaj tha se rritja e lindjeve me prerje cezariane nuk është një fenomen që vërehet vetëm në Kosovë.
“Lindjet me prerje cezariane mund të themi se janë në rritje dhe është trend botëror. Këtu janë shumë faktorë që ndikojnë. Ndoshta nganjëherë na detyrojnë edhe kërkesat e pacienteve, ndërsa jemi edhe në fazën e përfundimit të protokolleve, të cilat do ta lehtësojnë vendimmarrjen në raste të caktuara,” thotë ai.
Sipas drejtorit, një nga arsyet kryesore është fakti se Klinika e Gjinekologjisë dhe Obstetrikës në QKUK është institucioni referues për rastet më të ndërlikuara nga e gjithë Kosova.
“Klinika jonë është klinikë referente. Rastet më të rënda vijnë prej rajoneve dhe kur përballesh me një rast të tillë duhet të marrësh vendime të shpejta. Në shumë raste zgjidhja më e sigurt është prerja cezariane,” u shpreh Ndrejaj.
Ai tha se gjatë procesit të lindjes mjekët përballen edhe me presione nga pacientet dhe familjarët e tyre, veçanërisht kur lindja normale zgjat për një kohë të gjatë.
“Procesi i lindjes zgjat me disa orë. Pastaj vijnë presionet familjare nga jashtë, presionet nga brenda, kërkesat e pacientes. Secili mjek e ka ndërgjegjen e vet dhe duhet të marrë vendimin që e konsideron më të sigurt për nënën dhe foshnjën,” deklaroi ai.
Ndrejaj bëri të ditur se gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit në Klinikën e Gjinekologjisë dhe Obstetrikës janë realizuar gjithsej 3,435 lindje. Nga to, 1,458 kanë qenë me prerje cezariane, ndërsa 1,977 janë kryer me lindje vaginale.
Ai shtoi se Klinika është duke finalizuar protokollet që do të ndihmojnë në standardizimin e vendimmarrjes për mënyrën e lindjes.
“Kur të përfundojnë protokollet do ta kemi më të lehtë edhe marrjen e vendimeve, gjithmonë duke u bazuar në gjendjen klinike të pacientes dhe sigurinë e saj,” thotë ai.
Drejtori i Klinikës së Gjinekologjisë dhe Obstetrikës theksoi se për ekipet mjekësore prioritet mbetet siguria e nënës dhe e foshnjës, sidomos në rastet që referohen nga spitalet rajonale me komplikime gjatë shtatzënisë ose lindjes.
Sipas tij, për shkak të rolit referues që ka QKUK-ja, një pjesë e konsiderueshme e ndërhyrjeve me prerje cezariane lidhen me raste me rrezik të lartë, të cilat kërkojnë reagim të menjëhershëm nga ekipet obstetrike.
/Gazeta Shneta/



