Pacientët që kërkojnë shërbime në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, vazhdojnë të përballen me shumë sfida sa i përket trajtimit të sëmundjeve nga të cilat ata lëngojnë. Pavarësisht mungesës së ilaçeve për trajtimin e sëmundjeve, pacientët kosovarë tash ballafaqohen edhe me lista të gjata të pritjes për t’u trajtuar. E ka klinika në QKUK ku mijëra persona presin me vite për t’iu nënshtruar një operimi ose shërbimi diagnostikues.
Listat e pritjes në QKUK vazhdon t’i kryesojë Klinika e Kirurgjisë Vaskulare. Janë rreth 1500 pacientë që presin të kenë ndërhyrje në vena varikoze nga mjekët e kësaj klinike.
Drejtori i kësaj klinike, Dr. Hajriz Rudari, shpjegoi për Nacionalen se për momentin, për intervenim mjekësor janë duke i thërritur pacientët që janë në listën e pritjes së vitit 2019.
“Është e vërtetë. Ne tash të vitit 2019 jemi duke i thirrë pacientët, jemi në muajin e tetë të këtij viti që po i thërrasim me i operu. Kemi sfida të shumta. Për momentin, mungesë është e anesteziologëve. Besoj që do të ia arrijmë që ta zbusim, se me e heqë, nuk ka shansë me e heqë. Kjo dukuri që nga pas lufta është”- i tha Rudari Nacionales.
Rudari shpjegoi se lista është zgjatur edhe si rezultat i mungesës se anesteziologëve.
“Mirëpo te ne qëndron fakti që pandemia na e bëri të veten. Pas pandemisë, ishte problem salla. Si e bëmë sallën, u has në problemin e anesteziologëve. Jemi e vetmja klinikë, i vetmi repart në tërë Kosovën që i trajtojmë problemet, përveç venave, merremi edhe me shputë diabetike. Në Kirurgjinë Vaksulare, në 90 % të rasteve e kemi vetëm një anesteziolog. Rrallë-rrallë i kemi dy”- rrëfeu ai.