Mbi 2.2 milionë Euro i kanë kushtuar QKUK-së katër sallat e operacionit të cilat u mbyllën nga inspektorati sanitar për shkak të mungesës së kushteve tekniko-sanitare, vetëm disa ditë pasi u hapën nga menaxhmenti i SHSKUK-së.
Projekti ka filluar në vitin 2019 në kohën kur Shërbimi Spitalor Klinik Universitar udhëhiqej nga ish-drejtori Basri Sejdiu. Tenderin e kishte fituar kompania “Ada Consulting Group” në vlerë 2 milionë e 209,447 Euro, shkruan Gazeta Shneta.
Por ndërtimi i aneksit në Klinikën e Ortopedisë i paraparë si bllok operativ për këtë njësi me katër salla të operacionit, nuk po i plotëson kushtet tekniko-sanitare.
Së paku kështu ka konstatuar ekipi i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës gjatë javës së kaluar. Ky organ vendosi që t’i mbyllë sallat vetëm disa ditë pasi ato u hapën nga menaxhmenti i SHSKUK-së në një ceremoni ku mori pjesë edhe ud. drejtoresha e përgjithshme Pranvera Zejnullahu-Raçi.
“Hapësirat e këtij blloku operativ nuk i plotëson kushtet teknike sanitare dhe higjienike për ushtrim të veprimtarisë si sall operative. Korridori që lidhë bllokun operativë me dhomat është punuar nga materiali qe nuk është higjienik. Disa nga pajisjet janë të vjetruara-dëmtuara dhe koroduara. Dyshemeja është pjesërisht e dëmtuar. Ka mungesë të ujit të ngrohtë rrjedhës. DDD nuk është kryer në të gjitha hapësirat. Nuk ka qenë i mirë pastrim gjeneral, i cili do të mundësonte nivel të mirë higjienikë. Për të gjitha këto të gjeturat është njoftuar drejtori i kësaj klinike. I cili njëkohësisht është informuar me ndryshimet të cilat duhet të bëhen për tu arritur niveli i plotësimit të kushteve për lëshim të serishëm në punë”, kanë konstatuar ekipa e AUVK-së.
Në këtë njësi poashtu ende nuk është përfunduar edhe nënstacioni i oksigjenimit qendror dhe sallat planifikohet të furnizohen me oksigjen përmes bombolave të cilat vendosen pranë makinave të anestezionit në sallat përkatëse.
Gazeta ka kërkuar sqarime nga SHSKUK për të gjitha këto çështje, por drejtoria nuk ka kthyer përgjigje. Sqarime janë kërkuar edhe nga kompania “Ada Consulting”, por as nga kjo kompani nuk kanë dhënë përgjigje.
Gazeta ka adresuar disa pyetje tek “Ada Consulting” në lidhje me përmbushjen e kontratës së tyre, përfundimin e punimeve, materialet e përdorura të cilat nuk janë higjienike siç kanë konstatuar inspektorët sanitar, mosvendosjen e nënstacionit të oksigjenit, por për asnjërën nga këto çështje nuk kanë dhënë sqarime. /Gazeta Shneta/