Ish-drejtori i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar Basri Sejdiu, së bashku me kardiologun Agron Qerimi, kanë shpërthyer me akuza ndaj Bordit dhe menaxhmentit aktual i cili udhëhiqet nga Valbon Krasniqi.
Sejdiu dhe Qerimi kanë akuzuar Bordin dhe menaxhmentin duke thënë se qëllimshëm po e dëmtojnë repartin e kardiologjisë invazive, shkruan Gazeta Shneta.
Të dy mjekët në emisionin “Në vëzhgim” në RTK, kanë akuzuar udhëheqësit e QKUK-së se i kanë lënë pa hapësira dhe shtretër për pacientët. Sejdiu këtë e ka quajtur kthim mbrapa në kohërat kur mjekët ndodhen në aktakuza për referim të pacientëve.
“Thirren nga 2-3 pacientë në këtë kohë që kanë mundur të thirren nga 10. Krejt kjo ndodh në këtë menaxhment që kanë ardhur pas meje. Shpresoj që të ndërmerren masa nga ministria, sepse ky menaxhment dhe ky bord është ende në pozitë pas shumë skandaleve. Pikë e sulmit është kardiologjia invazive”, ka deklaruar Sejdiu.
Sejdiu ka thënë se mjekët po punojnë në bazë të humanitetit, pasiqë stimulimet që janë dhënë në kohën e tij, e të cilat janë evidentuar si të jashtëligjshme nga Autori i Brendshëm, tani nuk jepen më.
Agron Qerimi ka thënë se po përballen me sfida të shumta pasi është rritur numri i pacientëve në listat e pritjes mbi 1 mijë persona, dhe sipas tij nuk kanë hapësira për t’i vendosur pacientët në dhoma.
“Targeti jonë ka qenë që të punojmë mbi katër mijë pacientë, ndërsa tani jemi rreth 1200 pacientë. Kjo është keqmenaxhimi që është realizu. Ka një keqmenaxhim të madh sidomos sa i përket neve. Mendoj se ka tendencë të qëllimshme me dëmtu repartin. Po shihet tash. Kemi qenë në pandemi, por që 2-3 muaj kemi mundur të rikthehemi në normalitet. Kemi mbet peng i menaxhmentit”, ka deklaruar Qerimi.
Ai thotë se Bordi dhe menaxhmenti i SHSKUK-së e kanë shkatërruar një shërbim që sipas tij ka qenë krenaria e shëndetësisë në Kosovë.
“Kemi mbet me dyshime. Vazhdimisht e pyesim njëri-tjetrin se kush po dëshiron ta shkatërroj një aset nacional që ka mbërri kulminacionin. Në vend se menaxhmenti dhe Bordi i SHSKUK-së, të avancoj shërbimet, ata e kanë shkatërru një shërbim që ka qenë krenaria e shëndetësisë kosovare”, ka deklaruar Qerimi.
Kardiologjia invazive ishte ndarë nga Klinika e Kardiologjisë në kohën kur SHSKUK-së udhëhiqej nga Basri Sejdiu. Invaziva i ishte bashkuar Kardiokirurgjisë dhe drejtor ishte emëruar Tefik Bekteshi. Ky i fundit është shkarkuar pas gjetjes së parregullsive nga Auditori i Brendshëm me pagesa për gatishmëri. Bekteshi është përjashtuar nga puna në klinikë pasi nuk ka pranuar të dal në punë për rreth 3 muaj.
Pagesat e jashtëligjshme për gatishmëri kanë edhe një nga arsyet e shkarkimit të Basri Sejdiut nga pozita e drejtorit të përgjithshëm të SHSKUK-së. Sejdiu ka licencë të punës si internist, ndërsa punon si kardiolog invaziv. Për mos përdorimin e faksimilit të internistit ishte dënuar edhe nga Oda e Mjekëve të Kosovës në vitin 2019. /Gazeta Shneta/