Më datë 11 tetor të këtij viti, timonin e udhëheqjes së Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës e mori kardiologu Basri Sejdiu. Kjo pas dorëheqjes së Curr Gjocajt, i cili mbante pozitën e drejtorit të SHSKUK’së nën udhëheqjen e të cilit në QKUK ndodhën tri vdekje të dyshimta.
Me udhëheqjen e tij si ushtrues detyre i drejtorit të Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës, Basri Sejdiu, po zotohet se do ta reformojë të gjithë sistemin shëndetësor në vend. Në një intervistë për Gazetën Express, kardiologu Sejdiu pranon se ka marrë një barrë të madhe mbi vete me pranimin e detyrës së ud. të SHSKUK’së.
“Arsyeja që unë e kam pranuar detyrën e ushtruesit të drejtorit të SHSKUK’së, ka qenë që të shohim diçka të mirë në shëndetësinë kosovare, atë çka është e keqe ta bëjmë të mirë, sepse çdo mangësi reflektohet së pari te pacientët të cilët shumë kanë nevojë për trajtim adekuat”, ka thënë Sejdiu për Express.
Megjithëkëtë, kardiologu Sejdiu shprehet se nuk do ta ketë të lehtë menaxhimin e një gjigandi shëndetësor siç është QKUK’ja.
“Barra që e kam marrë unë nuk është një privilegj, ngase është një barrë mjaftë e madhe, sepse dihet që ka mjaft shumë defekte në shëndetësinë kosovare. Është sfidë dhe sakrificë të merret një gjigand si është SHSKUK’ja, përshirë edhe spitalet regjionale, mirëpo qëllimi që të bëjmë diçka mirë e kam pranuar këtë pozitë”, deklaron ai.
Por Sejdiu shprehet se pacientët kosovarë më nuk do të kenë nevojë që të trajtohen jashtë institucioneve publike. Madje QKUK’në, nën udhëheqjen e tij, thotë ai, vendet e tjera do ta shohin si model për trajtim mjekësor.
“Jemi të gjithë dëshmitarë që pacientët tanë deri më tani mund të them shumica trajtohen dhe jashtë institucionet publike, në ato private, jashtë Kosovës në vendet e regjionit dhe kjo nuk është gjë e mirë. Unë maksimumin tim do ta jap që të rregullohet sistemi ynë shëndetësorë, që ky fundit të jetë atraksion për vendet në regjion që të vijnë të mjekohen tek ne”, thotë Sejdiu.
Ai për Express zotohet që të gjitha defektet e këtij shërbimi shëndetësor do t’i rregullojë. Por pyetur se si do ta gjejë zgjidhje për mungesën e barnave, stafit, hapësirave për punë, Sejdiu nuk ka dhënë një plan të qartë. Thotë se i ka disa ide për investime të mëdha në QKUK. Tutje ai lavdëron Ministrinë e Shëndetësisë për furnizimin me barna emergjente duke përmendur kështu rastin e fundit kur ministria e furnizoi urgjentisht Klinikën Infektive pas mungesës së barnave për luftimin e epidemisë së fruthit.
“I kam disa ide që pa ndonjë investim të madh të bëhen punë shumë të mëdha.
Ministria e Shëndetësisë ka bërë një intervenim urgjent me barna për Klikën Infektive javë më parë që të përmbushë nevojat brenda këtij viti. Ky është një sinjal që në të ardhmen gjatë rishikimit të buxhetit duhet të reagohet herët që të mos ndodhë ndonjë mangësi që reflektohet menjëherë tek pacientët”, ka deklaruar ai.
Sejdiu thotë se ende nuk e ka menduar se a do të aplikojë në konkursin kur zyrtarisht do të hapet për pozitën e drejtorit të SHSKUK’së. Deklarohet se postet nuk i ka lakmi. Por, nëse aplikon e nëse zgjidhet drejtor i SHSKUK’së, Sejdiu thotë se kosovarët do ta mbajnë mend vetëm për gjëra të mira.
“Nuk kam menduar ende nëse do të aplikoj për pozitën e drejtorit kur të shpallet konkursi, por sa të mundem do t’i kryej disa nevoja të mëdha për QKUK’në. Nuk është lakmi posti, por vetëm vendi që do të më japë mundësi që të kontribuoj. Qysh ne ditët e para, po shoh se po kam motiv për punë”.
“Gjatë jetës sime gjithmonë jam mundua që njerëzit të më mbajnë mend për të mirë. Edhe në Kardiologji Invazive sa kam qenë, gjithmonë jam munduar që të bëjë diçka mirë dhe po më doket që ka ardhë koha që ëndrrat që i kemi pas të finalizohen. Është momenti që defektet të mënjanohen dhe zhvillimet sa më profesionale janë shumë të nevojshme për pacientët. Interesi im do të jetë që pacientët të jenë të kënaqur dhe në Kosovë njëherë e mirë të kthehet imazhi se edhe pacientët tanë ta ndiejnë vetën mirë në institucione”, ka deklaruar ushtruesi i detyrës së drejtorit, Basri Sejdiu në intervistën dhënë Expressit.
Sejdiu: Me vdekjet e dyshimta po merret prokuroria e shtetit
E në ndërkohë në institucionin që tashmë Sejdiu e udhëheq, muaj më parë kanë ndodhur tri vdekje të dyshimta. Sipas organeve të hetuesisë dyshimet e para çojnë në gazin oksidul, të prodhuar pa licencë në Kosovë. Lidhur me këtë çështje pronari i kompanisë “Bubeari Komerc” tashmë është në paraburgim.
Për vdekjet e tre pacientëve, Sejdiu shprehet se me këtë punë tashmë po merret prokuroria e shtetit.
“Sa jam i informuar punët janë në fazën e hetimeve dhe hulumtimeve, ekspertizave. Nuk kemi ende asgjë konkrete, gjithçka është në duart e prokurorisë”, thotë ai.
Ndërkohë që QKUK, e ndali furnizimin me gaz nga kompania “Bubeari Komerc”, duke nënshkruar kontratë me një tjetër operator ekonomik. Por, mungesa të gazit oksidul ende po vërehen në QKUK.
“Si përket gazit, prapë po ndihen mungesa të furnizimit, ka ngecë pak në hallkën e furnizimit. Çdo pengesë manifestohet edhe tek pacientët, ngase është i domosdoshëm gazi”, sqarohet Basri Sejdiu.
Kujtojmë se Bordi Drejtues i Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK) më 11 tetor e emëroi Basri Sejdiun, UD. Drejtor të Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK). Sejdiu, ka qenë shërbyes si ushtrues detyre i shefit të kardiologjisë invazive në QKUK./GazetaExpress/