Sejdiu përuron hapësirat e rinovuara të Klinikës së Alergologjisë

2019-09-25 në ora 14:12

Klinika e Alergologjisë me Imunologji është bërë me hapësira të reja ku do t’i ketë 6 dhoma me nga 2 shtretër.

Këto hapësira janë përuruar sot nga drejtori i SHSKUK-së Dr. Basri Sejdiu, i cili ka thënë se në këtë klinikë përveç shërbimeve ambulantore do të trajtohen edhe pacientët në hospitalizim.

Njoftimi i plotë nga QKUK:

Për herë të parë që nga ekzistimi i saj, Klinika e Alergologjisë me Imunologji është bërë me hapësira të reja që do ti ketë 6 dhoma me nga 2 shtretër dhe me nyje sanitare higjienike dhe infrastrukturë përcjellëse moderne, investim në vlerë mbi 150 mijë euro, i kryer nga ana e SHSKUK-së.

Dr.Basri Sejdiu, drejtor i Përgjithshëm i Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës(SHSKUK) tha se kjo klinikë deri më tani ka punuar vetëm me pacientë ambulator pa pasur shtretër dhe mundësi që 13 mjekë të shtrijnë dhe trajtojnë pacientët, por kanë trajtuar vetëm rastet ambulatore.

“Në vazhdën e investimeve që po bëhen për modernizim të hapësirave të klinikave, është edhe renovimi i hapësirave të reja për Klinikën e Alergologjisë me Imunologji, hapësira që kemi krijuar për herë të parë, sepse kanë punuar vetëm me raste ambulatore” u shpreh ai.

Sipas tij, tashmë janë krijuar hapësira moderne për punë me stafin mjekësor dhe pacientët që do të kenë mundësi tashmë të kryejnë shërbime jo vetëm ambulatore, por edhe të shtrihen për trajtim. E gjithë kjo është mundësuar falë përkrahjes nga Ministria e Financave dhe Ministria e Shëndetësisë.

Dr. Dukagjin Zogaj, drejtor i Klinikës së Alergologjisë me Imunologji, theksoi se deri tani edhe pse kishin bërë shumë kërkesa ato nuk ishin realizuar. “Për herë të parë ky menaxhment dhe ministri na kanë përkrahur, duke krijuar hapësirat më moderne në regjion”, potencoi ai.

Drejtori Zogaj, tha se tashmë Klinika ka hapësira për kabinetin për spirometri dhe provokime nga medikamentet.

Deri tani, si raste ambulatore në këtë klinikë ishin kryer 30 deri në 40 raste brenda ditës.

Në këtë përurim ishte prezent edhe z. Ardian Ferizi, anëtar i Bordit Drejtues SHSKUK.