Oda e Mjekëve të Kosovës, që nga viti 2018, e ka për obligim thelbësor sigurimin e standardeve të larta të kodit etik dhe deontologjisë mjekësore për anëtarët e saj, si dhe sigurimin e edukimit të vazhdueshëm profesional me qëllim të ngritjes së performancës profesionale të mjekëve.
Shkruan: Pleurat Sejdiu- Kryetar i Odës së Mjekëve të Kosovës, Specialist i Ortopedisë, Qendra Klinike Universitare e Kosovës.
Ndërsa Edukimi Specialistik nënkupton studimin e vazhdueshëm, pas diplomimit universitar, për fushën e ngushtë specialistike në mënyrë të përvetësimit të saj. Sipas Ligjit të Odave të Profesionistëve Shëndetësorë, neni 3, paragrafi 1.11, Oda e Mjekëve të Kosovës është e ngarkuar të zhvillojë dhe të sigurojë zbatimin e programeve të shkollimit specialistik pasuniversitar dhe proceseve për të siguruar cilësi të lartë të shërbimeve shëndetësore dhe shërbimeve të tjera që lidhen me kujdesin shëndetësor. Ndërhyrjet politike dhe klienteliste gjatë këtyre 8 viteve në këtë proces, e kanë bërë të pamundur përmbushjen e kornizës ligjore në sektorin e edukimit specialistik.
Vetëm tani pas 8 vitesh, OMK e ka përfaqësuesin e vet në Bordin Qendror të Specializimeve, por pjesët e tjera të kornizës ligjore vazhdojnë të zbatohen në kundërshtim me ligjet në fuqi, duke e pamundësuar zhvillimin e proceseve që i takojnë ligjërisht OMK-së.
OMK është i vetmi institucion adekuat për mbikëqyrje profesionale dhe zbatimi i kësaj kompetence do të siguronte përpilimin dhe zbatimin e përpiktë të programeve specialistike dhe, me siguri, ashtu si në proceset e licencimit, do vinte rend dhe rregull në këtë sektor. Ne në Kosovë, do duhej të marrim shembuj nga shtetet e përparuara të cilat kanë avancuar në këtë aspekt të zhvillimit të resurseve njerëzore në sektorin e shëndetësisë dhe jo të kthehemi prapa në procese që tanimë janë të “huaja” në sistemet e përparuara.
E ardhmja është në delegime dhe decentralizime dhe jo e kundërta!




