Drejtori i QKMF-së në Prishtinë, Dr. Bujar Gashi në një intervistë për Gazetën Shneta ka folur më gjerësisht për punën në këtë qendër dhe QMF-të tjera në kryeqytet dhe sfidat që përballen.
Gashi ka deklaruar se një prej sfidave më të mëdha është edhe numri i madh i pacientëve që marrin shërbime mjekësore në krahasim me stafin e punonjësve.
“Në Prishtinë nuk marrin shërbime vetëm banorët e kryeqytetit sepse në bazë të regjistrimit të vitit 2011 kanë qenë 196 mijë banorë dhe në bazë të atyre që kanë marr shërbime kanë qenë rreth 350 deri në 400 mijë qytetarë, ne brenda ditë ofrojnë rreth 3500 vizita mjekësore diku rreth 500 vizita më shumë sesa vitet e kaluara, me përafërsisht 10 mijë e 500 shërbime mjekësore brenda 24 orëve në të gjitha institucionet tona duke përfshirë QKMF-në, QMF-të dhe njësitë e saj dhe ambulancat e mjekësisë familjare”, tha Gashi.
Gashi tutje ka treguar se viteve të fundit janë shtuar edhe shërbime të reja mes tyre edhe vizitat në shtëpi për gratë shtatzëna dhe fëmijët prej 0-3 vjeç.
“Kemi shtuar disa shërbime, vitin e kaluar kemi filluar me një program të ri, si vizitat në shtëpi për gratë shtatzëna dhe fëmijët prej 0-3 vjeç, pastaj në kuadër të radiologjisë kemi rritur kapacitetet sepse kemi shtuar një njësi të radiologjisë në Veternik, janë shtuar shërbime laboratorike, kemi shtuar hormonet, kemi rritur ditët në të cilat janë realizuar këto hormone që kanë qenë një herë në javë tash janë gjatë pesë ditëve të javës, së fundmi ato janë realizuar në dy qendra, në QKMF dhe nga java e kaluar ato realizohen edhe në QMF-në në Kodrën e Diellit. Dy vitet e fundit kemi rritur kapacitetin në shërbimin shtëpiak dhe gamën e saj, prej një ekipe që kanë punuar me një orar më të shkurtër, tani kemi dy ekipe që punojnë gjatë gjithë javës dhe një ekipe për gjatë vikendeve”, u shpreh ai.
Gashi tregoi se aktualisht janë 27 njësi, QKMF-ja, 17 qendra të mjekësisë familjare dhe 9 ambulanca të njësisë familjare.
Ai tregoi se janë mbyllur pesë ambulanca të mjekësisë familjare prej vitit 2020 e deri tani nga koha e pandemisë e deri tash dhe një ambulancë e mjekësisë familjare ka kaluar në qendër të mjekësisë familjare, arsyeja e mbylljes sipas Gashit ishte numri i vogël i pacientë dhe mungesa e punëtorëve shëndetësor.
Gashi foli edhe për mungesën e mjekëve dhe infermierëve që është prej sfidave më të mëdha të qendra të mjekësisë familjare në kryeqytet.
“Numri i mjekëve dhe infermiereve nga niveli qendror në atë lokal përcaktohet në bazë të numrit të banorëve, në kryeqytet nuk marrin shërbime vetëm qytetarët rezidentë por edhe ata që jetojnë në Prishtinë gjatë pesë ditëve të javës, por që janë banorë të një vendi tjetër e që Qeveria në grantit specifik ndan fonde për komunën tjetër e jo për komunën e Prishtinës dhe jo vetëm fonde por edhe numër të personelit mjekësor për atë qytet ku ai qytetar është i regjistruar dhe kjo e penalizon Prishtinën. Shpresoj shumë që pas këtij regjistrimi Ministria e Shëndetësisë dhe niveli qendror të na zgjidhë këtë problem i cili na mundon shumë vite dhe është sfidë e jashtëzakonshme”, deklaroi Gashi.
Në fund, ai tha se një problematik tjetër është edhe furnizimi me barna dhe materiale nga Lista Esenciale e Ministrisë së Shëndetësisë.
“Me furnizimin me barna dhe materiale nga lista esenciale në vazhdimësi kemi patur probleme dhe mungesa, sado që duket një përmirësim në furnizim në gjashtë mujorin e parë kemi mund të arrijmë rreth 30% për barna dhe 55% me material shpenzues”, përfundoi Gashi.
Ndiqeni më poshtë intervistën e plotë të Dr. Bujar Gashit. /Gazeta Shneta/




