Në Spitalin e Përgjithshëm të Prizrenit javë e kaluar u përuruar shërbimi i Kardiologjisë Intervente – Laboratori i Kateterizimit.
Në lidhje me këtë, Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka publikuar foto nga puna që po bëhet prej pesë ditësh në këtë repart.
“5 ditë më parë ishim në Prizren për përurimin e Shërbimit të ri në Spitalin e Përgjithshëm të Prizrenit, atë të Kardiologjisë Intervente. Qysh në ditën e parë filloj puna. Deri tani për këtë intervenim pacientët duhej të vinin në Prishtinë”, tha Vitia, shkruan Gazeta Shneta.
Ai tha se është i lumtur që pacientët tashmë e marrin këtë shërbim më afër vendbanimit të tyre duke falënderuar edhe stafin mjekësorë për punën dhe profesionalizmin.
“Jam shumë i lumtur që prej 5 ditësh shumë pacientë tashmë e kanë marrë këtë shërbim falë punës dhe profesionalizmit të mjekëve dhe infermiereve tanë. Sikurse është kënaqësi e veçantë kur investimet konkrete në shëndetësi japin rezultate direkte duke kursyer kohën e xhepin, por mbi të gjitha duke shpëtuar jetën e qytetarëve tanë. Një falënderim pa dyshim shkon për stafin mjekësor, mjekët e infermierët për punën e palodhshme”, u shpreh Vitia. /Gazeta Shneta/




