Mursel Pllana është shkarkuar nga pozita e ud drejtorit të Spitalit të Vushtrrisë nga drejtori ekzekutiv i SHSKUK-së Valbon Krasniqi.
Pllana ka deklaruar se vendimin e ka pranuar para dy ditësh, me arsyetimin se në Spitalin e Vushtrrisë nuk është menaxhuar mirë pandemia Covid-19, shkruan Gazeta Shneta.
“Më ka thirr dr. Valboni më ka thënë se nuk ka asnjë vërejtje tjetër, por kemi çaluar gjatë pandemisë. Unë s’kam pas mundësi më bo ma shumë me ato kapacitete që i kam pas. Ju e dini që pandeminë nuk po munden me menaxhu as vende të avancuara”, ka deklaruar Pllana.
Në pozitën e ushtruesit të detyrës së drejtorit të këtij spitali, është riemëruar Hajrullah Saraqi i cili ishte shkarkuar para një viti nga ish-drejtori i SHSKUK-së Basri Sejdiu.
Saraqi ka thënë se sot është dita e parë pas rikthimit në këtë pozitë. “Sot është dita e parë dhe po merrem me sistemimin. Spitalin nuk e kam gjetur në gjendje fare të mirë”, ka deklaruar Saraqi.
Kujtojmë se Spitali i Vushtrrisë ishte transformuar në spital Covid gjatë muajve korrik dhe gusht. Në këtë spital ka pas probleme me furnizim të oksigjenit. Ish-drejtori Pllana kishte pranuar se janë furnizuar me oksigjen nga kompani të palicencuara. /Gazeta Shneta/