Lufta në Irani po shkakton ndotje të rëndë mjedisore që mund të ndikojë në shëndetin e njerëzve për dekada. Sulmet ndaj fushave të gazit, objekteve bërthamore dhe impianteve të desalinizimit po çlirojnë kimikate toksike, metale të rënda dhe ndotës të tjerë në ajër, tokë dhe ujë.
Sipas Kaveh Madani nga Instituti i Kombeve të Bashkuara për Ujin, Mjedisin dhe Shëndetin, djegia e naftës dhe gazit, si dhe fundosja e anijeve dhe tankerëve, po krijojnë ndotje të gjerë. Ai e përshkruan situatën si një kthim shumë vite pas në përpjekjet për mbrojtjen e mjedisit, shkruan Euronews Health transmeton Gazeta Shneta.
Monitorimi i dëmeve është i vështirë. Doug Weir nga Observatori për Konfliktin dhe Mjedisin thotë se janë regjistruar mbi 400 incidente me rrezik mjedisor, por mungesa e të dhënave të plota dhe kufizimet në internet e bëjnë vlerësimin e plotë të pamundur.
Ndotja e ajrit është një nga rreziqet më serioze. Tymrat nga djegia e naftës kanë errësuar qiellin, ndërsa grimcat mikroskopike rrisin rrezikun për sëmundje të mushkërive dhe zemrës.
Kimikatet toksike dhe metalet e rënda mund të shkaktojnë kancer dhe të ndotin tokën dhe burimet e ujit. Në disa raste, është raportuar edhe “shi i zi” pranë kryeqytetit Teheran.
Rrezik i madh mbetet edhe furnizimi me ujë të pastër, sidomos në rajonin e Gjiri Persik, ku shumë vende varen nga impiantet e desalinizimit. Dëmtimi i tyre mund të ketë pasoja afatgjata për shëndetin dhe sigurinë.
Ekspertët paralajmërojnë se pas luftës, rindërtimi mund të lërë në plan të dytë dëmet mjedisore.
Ndotja, sidomos në zonat urbane të dendura, mund të vazhdojë të ndikojë tek njerëzit edhe shumë kohë pas përfundimit të konfliktit. /Gazeta Shneta/




