Në muajin prill, Kayıhan Pala, një ekspert i shquar i shëndetit publik në Universitetin Uludağ të Turqisë veriperëndimore, u trondit kur e gjeti veten në shënjestër të një ankese penale.
Eksperti Pala, një anëtar i grupit monitorues Covid-19 të Shoqatës Mjekësore Turke (TTB), kishte dhënë një intervistë në një faqe në internet dhe kishte ndarë hulumtime që treguan se numri i rasteve dhe vdekjeve nga koronavirusi ishin shumë më të larta sesa kishte raportuar qeveria shkruan burimi Science.
Ankesa, e paraqitur nga guvernatori i provincës së Bursa-së, e akuzoi atë për “keqinformim të publikut” dhe “shkaktim paniku” përcjell Gazeta Shneta.
Duke thënë se ishte detyra e tij të fliste për një krizë shëndetësore në rritje, eksperti Pala kërkoi që akuzat të hidheshin poshtë.
Në vend të kësaj, zyra e prokurorit u kërkoi administratorëve në universitet të hetonin rastin.
Vetëm pas një hetimi disa mujor, dhe dënimit të kësaj vepre nga nivelet kombëtare dhe ndërkombëtare nga grupet e të drejtave dhe punëtorëve shëndetësorë, universiteti arriti në përfundimin me 1 shtator, se eksperti Pala kishte vepruar brenda detyrës së tij.
“Unë jam një shkencëtar i shëndetit publik dhe duhet të flas për këtë pandemi në nivel lokal, kombëtar dhe ndërkombëtar”, tha eksperti Pala. “Nuk duhet të jetë krim kjo”.
Analistët thonë se autoritetet turke po përdorin ngacmime gjyqësore dhe hetime administrative për të mbytur kritikat dhe për të kontrolluar informacionin në lidhje me krizën.
Turqia nuk ka lëshuar rregullisht numrat e rasteve dhe vdekjeve të ndara sipas qyteteve dhe shifrat qeveritare nuk përfshijnë raste të mundshme, siç rekomandohet nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.
Autoritetet nuk u janë përgjigjur kërkesave për të siguruar të dhëna që detajojnë rastet nga grupet demografike, të tilla si në mesin e popullsisë së madhe të refugjatëve të vendit ose klasës punëtore, pavarësisht kërkesave nga mjekët për atë informacion.
Zyrtarët e shëndetit publik në të gjithë globin kanë theksuar se mposhtja e COVID-19 kërkon një komunikim të qartë publik. /Gazeta Shneta/