Dr. Arsida Bajrami është specialiste e neurologjisë me prejardhje nga Shkodra e cila jeton dhe punon që 20 vite në Turqi.
Bajrami është specializuar në Stamboll dhe punon si neurologe në Qendrën Strok në “Aydin University”, shkruan Gazeta Shneta.
Shqiptarja nga Turqia ka një vit që kur është angazhuar që të ndihmojë Qendrën Klinike Universitare të Kosovës për të ngritur Stroke Center për trajtimin e sulmit në tru.
Në një intervistë për Gazetën Shneta, ajo tregon se tashmë ka përfunduar trajnimi një vjeçar i dy radiologëve në qendrën ku punon ajo, ndërsa tani janë duke mbështetur QKUK-në me udhëzime profesionale se si duhet të funksionojë kjo qendër.
“Ka një vit që merremi aktiv me implementimin e Stroke në Kosovë. Jemi aktiv me trajnime dhe këshillime për strukturat e nevojshme në Prishtinë. Ato që janë pozitive për Kosovën është gjeografia, në formë katrore që e bën shumë të lehtë transportin e pacientëve që për Stroke është një nga pluset më të mëdha”, ka deklaruar ajo.
Bajrami ka thënë se shumica e stafit janë të gatshëm për të ndihmuar.
“Negativet janë këto, duhet një mbështetje e madhe nga organet përkatëse, sepse mbështetja jo gjithmonë është produktive. Mbështetja ekziston, por në momentin kur ne nuk kemi kontroll dhe analizë të pacientëve që janë trajtuar, sa mjekë po e bëjnë Strok në kushte të duhura atëherë nuk do të kemi rezultatet që kemi synuar”, ka thënë Bajrami.
Ajo poashtu ka rekomanduar bashkëpunim më të madh në mes të disiplinave, krijimin e një grupi të caktuar për Stroke, bashkëpunim dhe mbështetje nga administrata ndaj mjekëve dhe analizimi i të dhënave të rezultateve.
Ndiqeni intervistën e plotë të Dr. Arsida Bajramit. /Gazeta Shneta/




