Gjinekologu Arsim Gashi është shoqëruar në Polici, nën dyshimet se ka sulmuar profesoreshën e mjekësisë, Hatixhe Latifi-Pupovci, që është edhe gruaja e zëvendësministrit Dukagjin Pupovci, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
Lajmin e ka bërë të ditur zëdhënësja e Policisë për Rajonin e Prishtinës, Florie Ahmeti.
“Lidhur me këtë rast, rreth orës 18:30, policia ka shoqëruar në stacion policor për intervistim personin e dyshuar”, ka thënë Ahmeti.
Profesoresha Hatixhe Latifi-Pupovci, është deklaruar më herët për sulmin e sotëm ndaj saj në objektin e Fakultetit të Mjekësisë.
Ajo ka thënë se e sulmoi gjinekologu Arsim Gashi, meqë ia kishte rrëzuar djalin nga provimi, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
Tutje, Latifi-Pupovci ka thënë se është keqardhje që ky prind, edhe vet mjek, nuk e kupton se sa me rëndësi është mbajtja e kriterit në një lëndë kyçe për formimin e çdo mjeku të ardhshëm
“Po më vjen shumë keq për shqetësimin që ka mund të ju sjell lajmi që veç qenka nëpër portale rreth sulmit që më ka ndodhur. Ka qenë një sulm krejtësisht i pa pritur dhe i pa provokuar, i shkaktuar nga motive të pa kuptueshme për mua. Studenti i pakënaqur me notën e provimit ka mënyra të tjera akademike për të kërkuar drejtësinë, ndërsa ndërhyrja e prindit është krejtësisht e pa pranueshme. Është për keqardhje që ky prind, edhe vet mjek, nuk e kupton se sa me rëndësi është mbajtja e kriterit në një lëndë kyçe për formimin e çdo mjeku të ardhshëm. Por, zgjedh dhunën si rrugë për arritjen e qëllimit të vet. Si duket specialisti i gjinekologjisë, dr. Arsim Gashi, nuk e ka herën e parë që përmes dhunës tenton t’i zgjidh problemet. Prandaj pres që ta merr dënimin e merituar”, ka shkruar ajo.