Sallat e reja të operacionit në Klinikën e Ortopedisë në QKUK janë hapur dje pa pëlqimin e Inspektoratit Sanitar. Në këto salla poashtu mungon edhe lidhja në sistemin e oksigjenit qendror.
Me CocaCola, Fanta dhe një tortë, ud. drejtoresha e SHSKUK-së Pranvera Zejnullahu-Raçi të hënën ka bërë inaugurimin e bllokut të ri operativ në Klinikën e Ortopedisë në QKUK, shkruan Gazeta Shneta.
Në këtë aneks të klinikës i cili ka filluar së ndërtuari në vitin 2019, janë katër salla operative.
Por këto salla u hapën të hënën pa pëlqimin e Inspektoratit Sanitar, pasi Klinika e Ortopedisë nuk e kishte kompletuar dokumentacionin e kërkuar. Këtë e ka konfirmuar zëdhënësi i AUVK-së, Lamir Thaçi.
“Klinika e Ortopedisë në kudër të SHSKUK-së ende nuk e ka kompletuar me dokumentet e kërkuara aplikimin për pëlqim sanitar. Ne si autoritet jemi zotuar qe ne momentin e kompletimit të aplikimit do të dërgojmë ekip inspektuese për të bërë vlerësimin sipas kushteve ligjore. Pas këtij inspektimi vlerësues të kushteve teknike sanitare dhe higjienike lëshohet vendimi për pëlqim sanitar (dhënia apo jo e pëlqimit gjithmonë varet nga vlerësimit i ekipit profesional inspektues)”, ka deklaruar Thaçi.
Gazeta e ka pyetur edhe SHSKUK-në në lidhje me këtë çështje pse janë hapur sallat pa pëlqimin e Inspektoratit, por të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje.
Sallat e reja poashtu nuk janë të lidhura fare në sistemin qendror të oksigjenimit. Në sallat e operacionit makinat e anestezionit do të funksionojnë me bombola të oksigjenit. As për këtë çështje SHSKUK nuk ka kthyer përgjigje. /Gazeta Shneta/





