Shërbimi Spitalor Klinik Universitar ka nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi me Komunën e Prishtinës për shërbimin e dializës si dhe për asgjësimin e mbetjeve mjekësore. Komuna e Prishtinës deri më tani ka paguar deri në 200 mijë euro për asgjësimin e mbetjeve mjekësore, ndërsa Izet Sadiku ka thënë se pas kësaj marrëveshje nuk do të ketë nevojë më komuna të paguaj për këtë shërbim
Marrëveshja është nënshkruar sot në mes të drejtorit të SHSKUK-së Valbon Krasniqi dhe kryetarit të Komunës së Prishtinës Përparim Rama, shkruan Gazeta Shneta.
Rama ka falënderuar SHSKUK-në për këtë bashkëpunim dhe ka shprehur gatishmërinë që si komunë ta ndihmojnë këtë institucion edhe në fusha të tjera.
Edhe Krasniqi ka kërkuar thellim të bashkëpunimit në mes të dy institucioneve për të lehtësuar shërbimet ndaj qytetarëve të kryeqytetit.
Kjo marrëveshje parasheh që Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare të vazhdojë të ofrojë hapësirën për pacientët e QKUK-së në dializë, në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Kodrën e Trimave.
Ndërkaq SHSKUK do të mundësojë asgjësimin e materialit mjekësor të QKMF-së dhe njësive të saj në inseneratorin e QKUK-së.
Drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Prishtinës Izet Sadiku ka thënë se me këtë marrëveshje, komuna s’do të ketë më nevojë të paguaj për asgjësimin e mbetjeve mjekësore.
“Në të kaluarën komuna ka paguar deri në 200 mijë euro për këtë shërbim, ndërsa fal kësaj marrëveshje më nuk do të kemi nevojë të paguajmë”, ka deklaruar Sadiku. /Gazeta Shneta/