Valët e të nxehtit paraqesin rrezik për shëndetin, sidomos për fëmijët, të moshuarit dhe personat me sëmundje të caktuara.
Pjesë të Evropës u përfshinë nga një valë e hershme e të nxehtit këtë fundjavë, me temperatura që tejkaluan 35 gradë Celsius në Francë, ndërsa në Mbretërinë e Bashkuar u regjistrua dita më e nxehtë e vitit 2025, raporton Euronews Health përcjell Gazeta Shneta.
Edhe pse shumica e rajoneve janë freskuar tashmë, parashikuesit e motit presin që valët e të nxehtit të bëhen më të zakonshme, pasi ndryshimet klimatike përkeqësojnë situatën dhe e bëjnë edhe më të nxehta zonat që tashmë janë të ngrohta.
Temperaturat e larta gjatë natës janë veçanërisht të rrezikshme, thotë Ashley Ward, drejtor i Qendrës për Inovacion në Politikat e Nxehtësisë në Universitetin Duke, SHBA. “Kur temperaturat gjatë natës nuk bien nën 24 gradë, fillojnë të shfaqen pasoja serioze për shëndetin, përfshirë sëmundjet nga nxehtësia, goditjen nga nxehtësia dhe madje edhe vdekjen,” tha Ward.
Zgjidhja që sugjeron ai: Gjeni ambiente me ajër të kondicionuar, si kinematë, qendrat tregtare ose bibliotekat.
Në shtëpi, krijoni një “kënd të freskët” dhe flini aty, që trupi të jetë më i përgatitur për ditën tjetër, thotë eksperti Ward. Në vende me lagështi të lartë, mjafton edhe përdorimi i një ventilatori.
Gjetja e mënyrave për të qëndruar të hidratuar dhe për të ulur temperaturën trupore është thelbësore. Mund ta bëni këtë duke pirë shumë lëngje, lagur rrobat, apo vendosur ujë të ftohtë ose peshqirë të lagur mbi duar, këmbë, sqetulla dhe qafë.
Nëse ushtroni, shmangni orët më të nxehta të ditës dhe merrni më shumë ujë sesa mendoni se ju duhet.
Njihni simptomat e sëmundjes nga nxehtësia
Shenjat e para përfshijnë djersitje të tepërt, ngërçe muskulore dhe dhimbje koke. Në këtë pikë, ndaloni menjëherë çfarë po bëni dhe përpiquni të freskoheni – për shembull, duke u spërkatur me ujë të ftohtë apo duke hyrë në një hapësirë me ajër të kondicionuar.
Me përparimin e lodhjes nga nxehtësia, shfaqen simptoma të reja si rrahje të shpejta të zemrës dhe marramendje. Faza e fundit është goditja nga nxehtësia, e cila mund të përfshijë konfuzion, të folur të paqartë dhe humbje ndjenjash. /Gazeta Shneta/




