Kryesia e Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë është mbledhur mbrëmë në një takim urgjent pas publikimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese e cila e anuloi ligjin për paga në sektorin publik.
Kryetari i FSSHK-së Dr. Blerim Syla ka thënë se ky vendim është dëshpërues për punëtorët shëndetësorë dhe i dëmshëm për mbi 70 mijë punëtorë në tërë Kosovën, shkruan Gazeta Shneta.
“Në ditët në vijim do të shihni reagimet tjera, por tani për tani i jemi adresuar kryeministrit sepse punëtorët shëndetësorë jo vetëm gjatë pandemisë por me vite janë të anashkaluar. Ne do të tentojmë të gjejmë modalitete me kryeministrin dhe kërkesa jonë është për rritje të pagave sepse nuk kemi kohë më të presim ligjin”, ka deklaruar Syla.
Ai ka thënë se kanë pritur një riamandamentim të ligjit, por jo anulimin në tërësi të tij. Syla ka thënë se do të takohen edhe me sindikatat tjera, si dhe me odat e profesionistëve shëndetësor. /Gazeta Shneta/