Federata e Sindikatave të Shëndetësisë ka kërcënuar me kolaps në shëndetësi nëse nuk procedohet ligji për paga ku parashihet rritja e rrogave për punëtorët shëndetësorë. Megjithatë, ligji mund të procedohet por kjo nuk nënkupton rritjen e pagave pasi ai mund të mos miratohet nga Kuvendi
Federata e Sindikatave të Shëndetësisë ka mbajtur sot një konferencë për media ku ka dhënë një lajm të mirë dhe një të keq. Kryetari Dr. Blerim Syla ka folur për nënshkrimin e Kontratës Sektoriale e cila përcakton rritjen e pagesës së kujdestarive për mjekët me 45 për qind si dhe për motrat medicinale 15 për qind.
Kjo kontratë e cila parashihet të arrijë vlerën rreth 11 milionë euro në vit, sipas Sylës pritet të fillojë së zbatuari nga muaji i ardhshëm. Kryesindikalisti foli me disponim të mirë për kontratën, por kur nisi të flas për Ligjin e Pagave, filloi ta ngris tonin e të kërcënojë institucionet, shkruan Gazeta Shneta.
Syla ka deklaruar se nuk do t’i shkruaj më asnjë letër ministrit të Shëndetësisë e kryeministrit Ramush Haradinaj. Ai thotë se kanë marr shumë premtime e negociata, por tani ka ardhur koha që ligji të procedohet.
“Nuk jemi aspak të kënaqur me transparencën e ministrisë së Administratës Publike. Ju bëjë thirrje që ta mbajnë fjalën e fjala është që projektligji të shkoj në qershor. Nëse kjo nuk ndodhë, do të kemi një kolaps në shëndetësi të cilin vetëm se e kemi tani. Shëndetësia do të shkojë në kolaps nëse nuk ndodhë realizohet kërkesa”, ka thënë Syla.
Megjithatë ligji edhe mund të procedohet në Qeveri e Kuvend, por kjo nuk nënkupton edhe miratimin nga ana e deputetëve. Syla nuk ka një përgjigje se çfarë do të ndodhë nëse ligji procedohet e nuk miratohet nga Kuvendit. “Mund ta imagjinoni çfarë do të ndodhë”, ka thënë ai.
Syla ka folur për rritjen e pagës së kryeministrit Ramush Haradinaj dhe qeveritarëve tjerë, duke thënë se nëse lejohet luksi për ata, duhet të bëhet edhe për punëtorët shëndetësorë. E Haradinaj para disa ditësh ka folur për rritjen e pagave në shëndetësi kur ishte në një vizitë në MSH. Ai kishte deklaruar se rritja e pagave do të ndodhë sigurt vitin e ardhshëm, ndërsa për këtë vit “do të shohim çka mujna me bo”, pati thënë Haradinaj.
Nënkryetari i FSSHK-së, Xhemajl Selmani, ka theksuar se MAPL ka nxjerrë një tabelarë në bazë të të cilit pritet të bëhet nivelizimi i pagave. “Ky tabelarë është i papranueshëm për punëtorët shëndetësorë. Në të koeficienti i mjekëve specialist është 4 ndërsa kërkesat tona janë për koeficient 8”, ka deklaruar Selmani. /Gazeta Shneta/