Hetimet për skandalin e avancave në Agjencinë Kosovare për Produkte Medicinale dhe Ministri të Shëndetësisë, janë zgjeruar edhe në Thesarin e Kosovës.
Zyrtarja I.Sh. e Thesarit do të vazhdojë të qëndrojë në punë, ndonëse po hetohet për lidhjet e saj me këtë skandal. Gazeta ka raportuar ditë më parë se kjo zyrtare dyshohet se ka ndërhyrë në llogaritë e AKPM-së dhe MSH-së ku ka kryer ekzekutimin e mjeteve për avance nëpërmjet sistemit ‘freebalance’, shkruan Gazeta Shneta.
Gazeta ka kontaktuar me Zyrën për Media të Ministrisë së Financave për të kërkuar sqarime si dhe përgjigje nëse do të ndërmerren masa nga drejtori i Thesarit, Ahmet Ismaili, por ky i fundit nuk ka pranuar takim.
“Ministria e Financave, respektivisht Departamenti i Thesarit bashkëpunon në vazhdimësi me Policinë e Kosovës dhe institucionet tjera të drejtësisë dhe gjyqësisë. Me qenë se rasti në fjalë është nën hetime, nuk mund të prononcohemi më shumë. Andaj, për informata të tjera ju lutem drejtohuni tek Policia e Kosovës dhe Prokuroria kompetente”, ka qenë kjo përgjigjja e Ministrisë.
Gazeta poashtu ka kontaktuar edhe me Prokurorinë, e cila nuk i ka mohuar e as pohuar hetimet në këtë institucion.
I.Sh. për shkak të lidhjeve familjare me zyrtarin e AKMP-së K.Sh. dyshohet se ka bashkëpunuar në tërheqjen e rreth 800 mijë eurove nga viti 2016 deri në 2018. Këto para janë tërhequr në emër të zyrtarëve të AKMP-së kinse për udhëtime, por të cilat nuk kanë ndodhur kurrë.
Gazeta ka mësuar jozyrtarisht se këta dy zyrtarë kanë lidhje familjare edhe me kryeshefin AKPM-së, Jeton Shala. Ky i fundit ka emëruar K.Sh. në pozitën zyrtar i të hyrave para tri viteve, ku gjatë gjithë kohës është mbajtur me kontratë për shërbime të veçanta. /Gazeta Shneta/