Sot shënohet Dita Botërore e Veshkës

2017-03-09 në ora 08:12

Shoqata e Nefrologëve të Kosovës shënon me disa manifestime 9 Marsin Ditën Botërore të Veshkës.

Aktivitetet do të fillojnë në shkollën fillore “Faik Konica” të Prishtinës duke pasur për qëllim që vetëdijesimi lidhur me rëndësinë dhe rolin e veshkave të fillojë që nga nxënësit.

Pastaj hapet pika informuese në sheshin “Nena Tereza”- Prishtinë, me ç’rast qytetarëve do t’u shpërndahen fletë-palosje me përmbajtje sensibilizimi për zbulimin e hershëm të sëmundjeve të veshkave.

Gjithashtu në QKUK – Salla e Telemjekësisë mbahen ligjëratat me temën kryesore “Obesiteti dhe Veshka”.

Sëmundjet kronike të veshkave po bëhen çdo ditë e më shumë një problem i shëndetit publik në mbarë botën dhe shoqërohen me sëmundshmëri dhe vdekshmëri të lartë. Gjithashtu, ato janë problem social dhe ekonomik për të sëmurët, familjet e tyre dhe gjithë shoqërinë.

Veshkat janë organe sa të komplikuara aq edhe të mahnitshme. Ato kanë role të shumta biologjike, si rregullojnë ekuilibrin e ujit në trup dhe përbërësve të tjerë kimikë në gjak si sodiumi, potasi, fosfori dhe kalciumi, eliminojnë një sërë toksinash nga trupi ynë, prodhojnë disa hormone, p.sh. reninën që ndikon në presionin arterial, nxisin prodhimin e qelizave të kuqe në palcën e kockave dhe marrin pjesë në prodhimin e formës aktive të vitaminës D.