Autoritetet shëndetësore në Spanjë kanë konfirmuar një rast të dytë me hantavirus tek një shtetas spanjoll, i cili ishte evakuuar nga anija turistike MV Hondius dhe aktualisht po trajtohet në izolim në një spital në Madrid.
Sipas burimit Reuters, pacienti është një nga 14 shtetasit spanjollë që ndodheshin në bordin e anijes dhe që prej 10 majit janë vendosur në karantinë në Spitalin Qendror të Mbrojtjes “Gomez Ulla”. Autoritetet bëjnë të ditur se infeksioni i ri u identifikua gjatë monitorimit epidemiologjik të nisur pas zbulimit të rastit të parë në anije.
Pas konfirmimit të diagnozës, pacienti u transferua në Njësinë e Izolimit të Nivelit të Lartë në spitalin e Madridit, ku po trajtohet nën masa të rrepta të biosigurisë.
Me rastin e fundit, numri i të infektuarve me hantavirus mes pasagjerëve dhe ekuipazhit të MV Hondius ka arritur në dy.
Ministria e Shëndetësisë theksoi se situata mbetet nën kontroll dhe se rasti po menaxhohet brenda sistemit ekzistues të izolimit. Autoritetet shtuan gjithashtu se nuk ka asnjë ndryshim në nivelin e rrezikut për popullatën dhe as në masat aktuale të menaxhimit epidemiologjik. /Gazeta Shneta/




