Spanja tha të hënën se kishte zbuluar rastin e saj të parë të llojit të ri Omicron, në një burrë që kishte ardhur së fundmi nga Afrika e Jugut.
51-vjeçari u testua kur mbërriti në aeroportin e Madridit të dielën përmes Amsterdamit dhe u zbulua se ishte pozitiv, tha qeveria rajonale e Madridit në një deklaratë, shkruan MedicalxPress përcjell Gazeta Shneta.
“Pacienti ka simptoma të lehta dhe është në karantinë”, thuhet në deklaratë.
Më herët të hënën, Spitali Gregorio Maranon i Madridit postoi në Twitter se shërbimi i tyre mikrobiologjik kishte zbuluar rastin e parë të variantit Omicron në Spanjë, pa dhënë detaje të mëtejshme.
Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), e ka renditur Omicron si një “variant shqetësimi” dhe vendet në mbarë botën tani po kufizojnë udhëtimet nga Afrika Jugore, ku u zbulua për herë të parë lloji i ri, dhe po marrin masa të tjera të reja paraprake.
OBSH thotë se mund të duhen disa javë për të ditur nëse ka ndryshime të rëndësishme në transmetueshmëri, ashpërsi ose implikime për vaksinat, testet dhe trajtimet COVID.
Disa vende të tjera evropiane, përfshirë Belgjikën, Britaninë dhe Gjermaninë kanë zbuluar raste të variantit, i cili u zbulua për herë të parë në Afrikën e Jugut.
Spanja është goditur rëndë nga pandemia, duke regjistruar afro 88,000 vdekje dhe 5.1 milion infeksione që nga fillimi. /Gazeta Shneta/