Mbi 550 specializantë me vetëfinancim tash e dy muaj nuk janë paguar nga shteti. Madje ata thonë se në mujin dhjetor të vitit të kaluar dhe në janar 2022 nuk i janë paguar as kujdestaritë shkruan Gazeta Shneta.
“Të gjithë e dinë që janë mjekët Specializantë që e mbajnë gjallë punën në QKUK dhe sot bëhen 60 ditë që nuk janë paguar për punën e tyre përkatësisht për muajin janar 2022 dhe as për kujdestaritë e muajit dhjetor dhe janar”, thuhet në reagimin e specializantëve.
Në korrik të vitit të kaluar Oda e Mjekëve të Kosovës dhe organizata KOMS kishin krijuar një pyetsor në lidhje me atë se sa janë të kënaqur mjekët me procesin e shkollimit për specializim dhe në bazë të përjigjeve doli se shumica e mentorëve në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës nuk mbajnë ligjerata dhe konsultime me specializantët.
Në lidhje me këtë Gazeta Shneta tash e disa ditë ka adresuar pyejte në Ministri të Shëndetësisë për të sqaruar se pse është bërë kjo vonesë dhe kur pritet të zgjidhet një problem i tillë, të njejtit nuk janë përgjigjur.
Për më tepër se një vit, që nga fillimi i shkollimit për specializim e deri më tani specializantët me vetëfinancim dhe ata të rregullt janë ballafaqur me pakënaqësi të ndryshme të cilat herë pas here i kanë shprehur edhe përmes protestave të mbajtura para objektit të Ministris së Shëndetësisë e QKUK-së.
Specializantët me vetëfinancim kanë kërkuar që të vazhdojnë kontratat e tyre si specializantë të rregullt, mirëpo një kërkesë e tillë nuk është aprovuar asnjëherë nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë.
Në buxhetin e këtij viti Qeveria nuk ka ndarë buxhet të veçantë për specializantët me vetëfinancim, kjo kategori e mantelbardhëve do të paguhet përmes subvencioneve dhe jo nga buxheti i rregullt i Qeverisë së Kosovës. Për subvencionimin e specializantëve me vetëfinancim Qeveria ka ndarë 2,8 milion euro.
Në anën tjetër vendi është në mungesë të mjekëve të specializuar, aktualisht në spitalet në vend janë 661 mjekë specialistë.
Shkollimi për specializim pati filluar në korrik të vitit 2020 pas katër viteve pauzë dhe në atë konkursë janë pranuar 1,600 mjekë në nivel vendi. / Gazeta Shneta.