Specializantët nuk do të kenë të drejtë të punojnë edhe një punë të dytë pasi t’i nënshkruajnë kontratat me Ministrinë e Shëndetësisë. Ata po kërkojnë të punojnë edhe në privat pasi rroga prej 543 euro bruto nuk iu mjafton për të mbajtur familjen. Më herët ata kanë protestuar duke kërkuar pagë për punën e tyre gjatë specializimit, në mënyrë që të mos detyrohen të punojnë edhe në një punë tjetër për të marrë rrogë
Në Nenin 3 të kësaj kontrate, mjekët e rinj janë të detyruar që të deklarohen se nuk marrin pagë të rregullt nga ndonjë institucion tjetër. “Me këtë kontratë specializanti deklarohet se: 1) Nuk merr pagë të rregullt mujore nga Buxheti i Kosovës apo nga ndonjë institucion tjetër”, thuhet në pikën 1, shkruan Gazeta Shneta.
Sipas kësaj kontrate specializantët do të paguhen me pagë 543 euro bruto. Neni 2 i kontratës thotë se “Qëllimi i saj është ruajtja e kuadrove deficitare shëndetësore përmes mbështetjes financiare të specializantëve të kategorisë me vetë financim në institucionet publike shëndetësore”.
Por duket se një gjë e tillë nuk do të ndodhë pasi ndalimi i punës dytësore ka shkaktuar zemërim tek specializantët. Ata thonë se nuk kanë qenë në dijeni për këtë nen, ndërsa janë detyruar ta nënshkruajnë duke mos pasur zgjidhje tjetër.
“Me këtë kontratë na ndalohet puna e dytë. Nuk e di çfarë kanë menduar në Ministri, si do ta mbajmë familjen me këtë pagë. Pse specialistët kanë të drejtë të mbajnë nga 3-4 puna, e neve na ndalohet. Nëse Ministria me këtë kontratë nuk ua lejon specializantëve që të punojnë edhe në privat, shumica do të ikim posa të hiqen vizat”, ka deklaruar njëri prej tyre, i cili kërkon të mbetet anonim.
Specializantët vullnetarë shkollimin e kanë vazhduar në Qendrën Klinike Universitare ku nuk paguheshin për punën që e bënin, ndërsa detyroheshin të punonin një punë të dytë për të marr pagë. Ata kanë protestuar disa herë para Ministrisë së Shëndetësisë ku kërkonin rroga për punën e tyre gjatë specializimit. Ata arsyetoheshin se nuk po mund të shkollohen si duhet pasi po detyrohen të mbajnë nga 16 orë punë në ditë. /Gazeta Shneta/