Një ekip i kardiologëve dhe kardiokirurgëve të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës po pretendojnë se është bërë shkelje profesionale nga një koleg i tyre në Spitalin Amerikan në Prishtinë.
Ata po pretendojnë se pacientit Sh.Sh. i janë vendosur panevojshëm pajisja e pacemakerit dhe stenta nga kardiologu Dr. Sasho Josimovski. Ky pretendim i tyre është bërë pas kërkesës për mendim konzilar nga kompania e sigurimit “Kosova e Re”, shkruan Gazeta Shneta.
Por ky pretendim është mohuar nga një burim brenda Spitali Amerikan, i cili e ka quajtur “supozim për dëmtimin e imazhit të institucionit të tyre”.
Mjekët e Spitalit Amerikan kanë shprehur gatishmërinë që të paraqesin çdo institucioni dosjen e plotë të pacientit dhe protokollet e ndjekura në mënyrë profesionale nga ana e tyre.
Ky burim brenda Spitalit Amerikan ka thënë se për detaje do të flasin tutje, ndërsa kanë thënë se janë të lumtur që pacienti gëzon shëndet të plotë, ndërsa kanë theksuar se shprehin keqardhje që “interesa që nuk lidhen me ushtrimin e profesionit të mjekut por me dëmtimin e imazhit të profesionistëve të kësaj fushe që punojnë në këtë institucion janë vënë përpara shëndetit të pacientëve me aludime të pa vërteta”.
Ekipi i 11 kardiologëve dhe kardiokirurgëve supozojnë se pacientit Sh. Sh. i është vendosur pa nevojë pajisja e pacemaker. “Besojmë se në trajtimin e z. Sh.Sh. janë thyer këto parime, prandaj për hir të pacientëve tjerë në të ardhmen, etikës dhe profesionit, ndihemi të obliguar të denoncojmë shkeljen e supozuar të vendosjes së elektrostimuluesit permanent të zemrës (paçe makër) pa kritere të qarta të angiografisë koronare kontrolluese të panevojshme, si dhe vendosjes të dy stentave koronar të panevojshëm”, thuhet në mendimin e tyre. /Gazeta Shneta/