Spitali i Ferizajt e ka ritenderuar blerjen e pajisjes së Cistoskopisë me çmim dyfish më të lartë sesa tenderi paraprak në vitin 2021. Zyra e Prokurimit e ka arsyetuar vlerën e parashikuar prej 45 mijë euro me rritjen e çmimeve dhe për të siguruar blerjen e pajisjes me kualitet më të mirë
Spitali i Ferizajt e ka rishpallur tenderin për blerjen e një Cistoskopi për nevoja të repartit të urologjisë. Ky repart e ka bërë kërkesën dhe specifikat për këtë pajisje e cila është shpallur me vlerë të parashikuar prej 45 mijë Euro nga Zyra e prokurimit, shkruan Gazeta Shneta.
Tenderi i njëjtë ishte shpallur edhe në vitin 2021 me vlerë të parashikuar prej 23 mijë e 500 Euro.
Gazeta ka kërkuar sqarime nga Spitali i Ferizajt pse është rishpallur tenderi me çmim dyfish më të lartë. Nga Zyra e prokurimit kanë dhënë disa arsyetime.
Nga kjo zyrë kanë thënë se çmimi i tregut për këtë pajisje është rritur për 50 për qind nga viti 2021, ndërsa vlerën e dyfishuar e kanë arsyetuar me mundësinë e blerjes së pajisjes më të avancuar.
“Autoriteti Kontraktues- Spitali Ferizaj ka inicuar aktivitetin për blerjen e cistoskopit me datën 20.09.2021 në vlerë të 23,500.00 këto mjete SP i ka pasur në dispozicion, lënda për këtë aktivitet ka përfunduar në OSHP, fituesi i këti aktiviteti ka qenë operatori ekonomik Promedical SHPK, i cili nuk ka pranuar të lidhë kontrat për arsye që nuk mundet me sjellë me këtë çmim dhe se çmimi i tregut ka ndryshuar për 50%, andaj duke e pas parasysh që ky aktivitet ka përfundur pa lidhje të kontratës SP ka vendosur që të rritë vlerën e parashikur në 45,000.00, këto mjete janë të siguruar nga SHSKUK, nga kjo vlerë SP i jep mundësin për të bërë blerjen e cistoskopit më të mirë dhe më të avancuar”, thuhet në përgjigjen e zyrës së prokurimit.
Nga kjo zyrë kanë konfirmuar se përgatitja e specifikave është bërë nga njësia kërkuese, në këtë rast nga reparti i Urologjisë.
“Ne kemi tre Urolog për shkak të mungesës së cistoskopit po e bënë punën më të vështirë dhe se pacientët po dërgohen për trajtim në QKUK. Njësia kërkuese dhe përgatitjen e specifikave është departamenti i UROLOGJISË”, thuhet në përgjigjen e Zyrës së prokurimit të SP Ferizaj. /Gazeta Shneta/




