Spitali i Përgjithshëm “Dr. Sami Haxhi Beqiri” ka bërë të ditur se ka intensifikuar bashkëpunimin me institucionet lokale për trajtimin e personave me çrregullime mendore dhe atyre që abuzojnë me substanca narkotike.
Sipas njoftimit zyrtar të spitalit, drejtori ekzekutiv Gëzim Berisha, së bashku me u.d. drejtorin mjekësor Qenan Çabra dhe specialistin e psikiatrisë Gëzim Shabani, kanë zhvilluar një takim pune me përfaqësues të institucioneve kyçe të sigurisë dhe mirëqenies sociale në Mitrovicë.
Në takim kanë marrë pjesë edhe përfaqësues nga Policia e Kosovës, përfshirë komandantin e Stacionit Jugor, Ahmet Xhosha, si dhe drejtues të sektorit social në komunë, ndër ta Ramadan Beshiri nga Drejtoria e Mirëqenies Sociale dhe Gani Mustafa nga Qendra për Punë Sociale.
Temë qendrore e diskutimit ishte menaxhimi i rasteve që përfshijnë persona me çrregullime mendore dhe përdorues të substancave narkotike, të cilat kërkojnë ndërhyrje të koordinuar ndërmjet institucioneve shëndetësore, policisë dhe shërbimeve sociale.
Nga spitali është theksuar se stafi mjekësor është i gatshëm të ofrojë mbështetje të plotë profesionale për vlerësimin dhe trajtimin e këtyre rasteve, duke qenë në dispozicion të vazhdueshëm për institucionet relevante.
Në mungesë të një reparti të psikiatrisë në spitalin e Mitrovicës, palët janë dakorduar që të intensifikojnë bashkëpunimin me Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës dhe Klinika e Psikiatrisë në QKUK.
Ky koordinim synon që pacientët që kanë nevojë për trajtim të mbyllur spitalor të transferohen në mënyrë të shpejtë dhe të sigurt në nivelin terciar të kujdesit shëndetësor./Gazeta Shneta/




