Nga dita e sotme, në Spitalin e Përgjithshëm “Dr. Sami Haxhibeqiri” në Mitrovicë ka nisur për herë të parë ofrimi i shërbimit të Kirurgjisë Maksilofaciale, duke zgjeruar gamën e shërbimeve kirurgjike për pacientët e rajonit.
Sipas njoftimit, dy specialistë të kësaj fushe, Dr. Enis Voca dhe Dr. Besim Neziri, i janë bashkuar stafit të spitalit, çka do t’u mundësojë pacientëve të marrin trajtim në Mitrovicë pa pasur nevojë të udhëtojnë drejt Qendrës Klinike Universitare të Kosovë, përcjell Gazeta Shneta.
Drejtori Ekzekutiv i spitalit, Gëzim Berisha, u ka uruar mirëseardhje dy mjekëve, duke theksuar se hapja e këtij shërbimi është një hap i rëndësishëm për përmirësimin e kujdesit shëndetësor publik në rajon dhe lehtësim për pacientët që kanë nevojë për ndërhyrje nga Kirurgjia Maksilofaciale.
Sipas drejtuesve të spitalit, ky shërbim i ri pritet të ndikojë pozitivisht në uljen e ngarkesës në QKUK dhe në rritjen e qasjes së pacientëve në trajtime të specializuara./Gazeta Shneta/




