Spitali i Përgjithshëm në Pejë ka reaguar pas deklaratave të bëra mbrëmë në një emision në medium vendor, ku u tha se “30% e barnave nga lista esenciale mungojnë në spital” dhe se “pacientët mërdhinë nga mungesa e ngrohjes”.
Në reagimin e këtij institucioni thuhet se këto pretendime janë të pavërteta dhe të paverifikuara.
“Shprehim habinë tonë që një analist publik lejon të bëjë deklarime të tilla pa asnjë fakt apo verifikim në terren”, thuhet në reagim.
Sipas spitalit, ngrohja është funksionale në çdo repart dhe zyrë, ndërsa aktualisht, për shkak të temperaturave të larta, sistemi është në gatishmëri.
“Këtë e dinë mbi 550 punëtorë të spitalit, mbi 200 pacientë të shtrirë dhe mbi 2.000 qytetarë që hyjnë çdo ditë në spital”, theksohet në komunikatë.
Lidhur me furnizimin me barna, spitali ka bërë të ditur se mbulon rreth 85–90% të listës esenciale dhe se mungesat janë të rralla dhe të përkohshme.
“Në rastet kur ndonjë preparat mungon, menjëherë i drejtohemi SHSKUK-së për furnizim plotësues”, thuhet më tej./Gazeta Shneta/
Postimi i plotë:
Në lidhje me deklarimet e bëra mbrëmë në emisionin “Këndi i Debatit” në Tëvë 1, ku u tha se “30% e barnave nga lista esenciale mungojnë në Spitalin e Përgjithshëm në Pejë dhe se pacientët ,,mërdhinë” nga mungesa e ngrohjes, në emër të Spitalit të Përgjithshëm në Pejë, e konsiderojmë këtë deklarim të pavërtetë dhe të pa verifikuar.
Ne shprehim habinë tonë që një analist publik lejon të bëjë deklarime të tilla pa asnjë fakt apo verifikim në terren.
Spitali i Përgjithshëm në Pejë ka sistem ngrohjeje modern dhe funksional në çdo repart dhe çdo zyrë. Edhe pse aktualisht temperaturat janë të larta, ngrohja është e aktivizuar dhe në gjendje të rregullt pune. Këtë e dinë shumë mirë mbi 550 punëtorë të spitalit dhe mbi 200 pacientë të shtrirë dhe mbi 2.000 pacientë e qytetarë që në një ditë hyjnë në spital.
Po ashtu, furnizimi me barna nga lista esenciale është i rregullt dhe i qëndrueshëm, duke mbuluar rreth 85–90% të listës.
Mungesat janë të rralla dhe periodike, e në rastet kur ndonjë preparat mungon, ne menjëherë i drejtohemi Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK) për furnizim plotësues, në mënyrë që pacientët të mos privohen nga trajtimi i nevojshëm.
Spitali i Përgjithshëm në Pejë është institucion publik shëndetësor i të gjithë qytetarëve, dhe nuk do të duhej të përfshihet në debate apo qëllime politike ditore, pasi kjo nuk i shërben punës profesionale e të palodhshme që çdo ditë kryen personeli ynë në shërbim të qytetarëve




