Spitali i ri Pediatrik nuk ka laborator funksional, analizat gjatë kujdestarisë dërgohen në objektin e vjetër

2022-05-14 në ora 11:17

Ndonëse ka filluar ofrimin e shërbimeve shëndetësore gjashtë muaj pas përurimit, Ministria e Shëndetësisë duket se nuk i ka të planifikuara të gjitha shërbimet sic duhet për spitalin e ri të fëmijëve, “Sheikha Fatima”.

Për të gjithë fëmijët të cilët kanë nevojë për analiza shërbimet do t’i marrin nga stafi teknik i laboratoreve të cilët janë të përcaktuar në njësitë përkatëse të Klinikës së Biokimisë, për shkak se në laboratorin e spitalit të ri nuk është planifikuar të shtohet edhe stafi teknik i laboratorit.
Në projektimin e objektit të spitalit është ndarë hapësira për shërbime laboratorike por nuk është planifikuar shtimi i stafit teknik të laboratorit, shkruan Gazeta Shneta.

Për këtë arsye laboratori në këtë spital punon vetëm në ndërrimin e paradites, ndërsa në kujdestari dhe emergjenca stafi detyrohet të dërgojnë mostrat për analiza në laboratorin e objektit të vjetër të Klinikës së Pediatrisë.

Një situatë e tillë ka qenë sfiduese për drejtorin e Klinikës së Biokimisë, Shemsi Veselin, pasi që është detyruar të siguroj staf edhe për Laboratorin e spitalit pediatrik, e në anën tjetër ai tash e disa muaj ka bërë kërkesë në Ministri të Shëndetësisë që të rrisë numrin e stafit teknik të laboratorit për shkak të vëllimit të lartë të punëve.

“Është një laborator i cili funksionon një farë forme. Kur e kanë lëshuar laboratorin stafin nuk e kanë planifikuar. Kemi qenë para një sfide se si me mbulu. Është dasht me mbulu diqysh dhe unë në Klinikën e Biokimisë kam nevojë për shtim të stafit të laboratorit dhe realisht është dashur të marrim teknikun e laboratorit nga Kirurgjia me dërgu në ndihmesë në laboratorit e pediatrisë aktual”, sqaroi ai për Gazetën Shneta.

“Po flas parimisht nuk po flas pse po du me ra në pozitë kritikuese, por disi e kam përshtypjen nganjëherë që nuk po i mendojnë ‘trut’ krejt kur po duhet me u ofru një shërbim i ri për arsye se nuk po e bojnë planifikimin e nevojshmë. Lëshohet komplet klinika por nuk është mendu të pranohet staf teknik i laboratorit”, shprehet ai.

Veseli sqaron se për të funksionalizuar një laborator, njëra ndër parakushtet është ndriqimi që duhet të ketë ajo hapësirë ku planifikohet të kryehen shërbimet e analizave.

“Në spitalin e ri është ndarë një gjysmë hapësire, se nuk po e di krejt se nuk e kam pa se nuk më ka pyetur kërkush, as kur ia kanë nisë me punu nuk na ka pyet neve si klinikë se sa duhet hapësirë, se zakonisht për laborator është parakusht që duhet me pas dritë, kushtet e dritës duhet me kanë në nivel të duhur. Disa njësi varëse të klinikës së Biokimisë janë në gjendje të rëndë për shkak të kushteve”, thekson drejtori.

Në anën tjetër, ai sqaron se për të ofruar shërbime të analizave spitali duhet të posedojë 10 deri në 12 staf teknik. Gjatë vitit të kaluar afër 2 milion shërbime laboratorike janë ofruar në Klinikën e Biokimisë në QKUK.

Spitali i ri Pediatrik Kirurgjik është donacion nga Emiratet e Bashkuara Arabe në vlerë rreth 22 milionë Euro. /Gazeta Shneta/