Menaxhmenti i Spitalit të Vushtrrisë është zotuar se do t’i forcojë masat për parandalimin e korrupsionit, pas arrestimit të tre kirurgëve të dyshuar për marrje ryshfeti nga pacientët në këtë spital. Të tre mjekët poashtu u suspenduan nga puna.
Pas arrestimit të tre kirurgëve, Isuf Zekaj, Arsim Latifaj dhe Ekrem Sefiu, nën dyshimet për korrupsion, në Spitalin e Vushtrrisë po synohet të parandalohen rastet tjera të keqpërdorimit, shkruan Gazeta Shneta.
Së paku menaxhmenti në këtë spital është zotuar se do të marr masa sipas mundësive ligjore dhe buxhetit, për të parandaluar rastet e mundshme të korrupsionit.
“Ne do të vazhdojmë t’i forcojmë masat, ku përfshinë shtimin e stafit specialistik kirurgjik, kontrollin e vazhdueshëm, inkurajimin e qytetarëve për të paraqitur ankesë në raste të dyshimta, deklaratën e pacientit, furnizimin me material mjekësor kirurgjikal jashtë listës esenciale të barërave dhe materialit shpenzues si dhe bashkëpunimin e ngushtë me organet hetuese”, thuhet në përgjigjen e menaxhmentit.
Tutje kanë deklaruar se do të sigurohen se për çdo pagesë që kryejnë qytetarët në Spitalin e Vushtrrisë, do të pajisen me flet pagesën e rregullt.
“Spitali “Sheikh Zayed” në Vushtrri është spital publik dhe këtë e dinë shumë mirë të gjithë qytetarët e Kosovës. Qytetarët që marrin shërbime në Spitalin “Sheikh Zayed” si në çdo institucion tjetër kur do që bëjnë pagesa pajisen me flet pagesë. Fletë pagesa dëshmon për pagesën zyrtare dhe të rregullt. Çdo formë tjetër e pagesave tani më është objekt hetimi nga organet hetuese”, thuhet në përgjigje.
Sipas menaxhmentit, asnjëherë nuk kanë pasur asnjë ankesë nga pacientët për çështje të ngjashme.
Nga ky spital poashtu kanë deklaruar se janë duke bërë planifikimin e furnizimeve me materiale shpenzues dhe barëra jashtë listës esenciale për vitin 2023 ku do të përfshijë materialet e nevojshme për Kirurgji në pajtim me mundësitë buxhetore.
Disa prej materialeve që nevojiten për kirurgji, sikurse rrjetat abdominale të cilat nuk janë në Listën Esenciale, dyshohet se janë keqpërdorur nga mjekët për të marr ryshfet nga pacientët. Në video-dëshmitë të cilat i ka publikuar Gazeta Shneta, dhe pas të cilave u arrestuan tre kirurgët, familjarët dhe pacientët rrëfejnë se si iu kanë dhënë para tre kirurgëve kinse për të blerë këto rrjeta.
Në anën tjetër nga Ministria e Shëndetësisë kanë deklaruar se Lista e Barnave Esenciale është në proces të përditësimit dhe presin nga SHSKUK që të paraqesin propozimet e tyre në Komitetin Kyç.
“Siç jeni të informuar, Lista e Barnave Esenciale është në proces të përditësimit dhe përfaqësuesit e SHSKUK/ spitaleve dhe klinikave kanë mundësinë që të paraqesin propozimet në Komitetin Kyç për përditësimin e LBE-së për materialet shpenzuese të cilat janë te domosdoshme për ushtrimin e veprimtarisë mjekësore”, thuhet në përgjigjen e MSH-së.
Gazeta ka kërkuar poashtu sqarime nëse MSH ka ndërmarr ndonjë veprim në lidhje me skandalin e korrupsionit në Spitalin e Vushtrrisë, si dhe nëse është e nevojshme krijimi i një udhëzimi administrativ për parandalimin e korrupsionit në emër të blerjes së materialit mjekësor, por nga MSH kanë deklaruar se për çështje të ngjashme ka mjaftueshëm akte ligjore dhe UA.
“Sa përket çështjeve operative të rregullimit të shpërndarjes se terapisë , për përgjigje mund të drejtoheni në ShSKUK, ndërsa brenda sektorit te shëndetësisë ka mjafte ligje dhe udhëzime administrative të cilat ofrojnë zgjidhje për çështjen e konfliktit të interesit dhe parandalimit të korrupsionit, vetëm që të njëjtat duhet zbatuar dhe monitoruar nga zyrtaret përgjegjës”, thuhet në përgjigjen e MSH-së.
Në Spitalin e Vushtrrisë po punojnë dy kirurgë teksa është hapur konkursi për punësimin e tre të tjerëve. /Gazeta Shneta/