Kompania “Ego Elsa” e cila ka kontratë me QKUK-në për mirëmbajtjen dhe servisimin e rrjetit të oksigjenit, ka sqaruar për Gazetën Shneta se ka kërkuar nga menaxhmenti që të mos mbingarkojë sistemin pasi është i ndërtuar në vitin 2009 dhe nuk është paraparë për situata të tilla.
Ky sqarim i kompanisë vjen pasi Gazeta ka publikuar një email të “Ego Elsa” e cila ka konstatuar se në intensivën e Klinikës Infektive mund të furnizohen normalisht vetëm 3 respiratorë dhe në reparte me floumetra, ose 6 respiratorë në intensivë me kusht që repartet të mos mbingarkohen.
“Ne kemi këshilluar menaxhmentin që të mos mbingarkohen sistemet e rrjetit të oksigjenit sepse janë të viteve 2009, nuk janë të parapara për këso kriza pandemike dhe një tank/cistern që furnizon infektiven i njëjti tank dhe rrjet i gypave furnizon 80 për qind të klinikave, dmth rrezikon shëndetin dhe trajtimin edhe të pacientëve tjerë”, thuhet në sqarimin e pronarit të kompanisë Fadil Hoti.
Ai ka mohuar se ka pasur rënie të oksigjenit më 5 korrik, në natën e ferrit kur ndërruan jetë 4 pacientë në rrethana të dyshimta. “Nëse do të kishte pas rënie infektiva, do të binte rrjeti edhe në këto klinika dhe humbjet në njerëz do të ishin më të mëdha”, ka deklaruar ai.
Hoti ka thënë se përveç rrjetit qendror, QKUK ka alternative edhe bombolat të cilat mund të mbajnë pacientin deri në 4 orë.
Hoti ka dërguar edhe disa fotografi në adresë të Gazetës Shneta, të cilat sipas tij janë të natës kur ndërruan jetë pacientët në Klinikën Infektive. /Gazeta Shneta/