Drejtori i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës Basri Sejdiu ka dhënë një sqarim pasi i kërcënoi punëtorët e QKUK-së që të mos kërkojnë pagën jubilare.
Me anë të një emaili të dërguar më 10 shkurt 2020, drejtori i SHSKUK-së Dr. Basri Sejdiu, kishte kërkuar nga punëtorët e QKUK-së që të ndalonin së kërkuari pagën jubilare me arsyetimin se nuk ka buxhet për këtë punë, shkruan Gazeta Shneta.
Kërkesa ishte shkruar me tone kërcënimi ndaj menaxherëve të njësive duke iu drejtuar atyre se nëse aplikojnë për pagë jubilare punëtorët e tyre, atëherë “kjo do të ndikojë edhe tek vlerësimi i performancës suaj të punës dhe të punëtorëve që aplikojnë”, thuhet në email.
Por këtë email Sejdiu e ka quajtur keqkuptim dhe manipulim me punëtorët shëndetësorë. Madje tekstin në email ai e ka konsideruar si kërkesë me “mirëkuptim” që të shqyrtohet mundësia e pritjes deri në ndarjen e buxhetit për këtë kategori.
Kujtojmë se Gazeta Shneta ka raportuar javën e kaluar se Inspektorati i Punës e ka obliguar QKUK-në që t’ua paguaj shpërblimet jubilare punëtorëve. Por duket se kjo nuk do të ndodh për shkak se Sejdiu në sqarimin e tij thotë se mjetet do të kërkohen nga Ministria e Financave.
Më poshtë e gjeni sqarimin e plotë të Sejdiut:
Për shkak të keqkuptimeve, keqinterpretimeve, dezinformimit dhe manipulimit me punëtorët shëndetësorë të ShSKUK-së, dëshirojë të sqaroi se;
Kam dërguar një e-mail tek drejtorët e institucioneve në varësi të SHSKUK, përmes të cilës kam kërkuar që përmes mirëkuptimit të shqyrtohet mundësia e pritjes për realizim të të drejtës së punëmarrësve në njësitë e SHSKUK, në lidhje me pagat jubilare sipas Kontratës Kolektive Sektoriale (KKS), deri në ndarjen e buxhetit për këtë kategori, të cilën SHSKUK e ka kërkuar që nga hyrja në fuqi e KKS dhe është duke e kërkuar në vazhdimësi nga Ministria e Financave.
Kam kërkuar nga drejtorët që brenda kompetencave të tyre ligjore dhe mirëkuptimit të bisedojnë me punëmarrësit në njësitë që drejtojnë për arsye që të punësuarit në SHSKUK mos t’i realizojnë të drejtat përmes Gjykatës dhe ne mos të paguajmë shpenzime procedurale, kamata dhe shpenzime përmbarimore të cilat do ta dëmtonin në masë të madhe buxhetin e SHSKUK-së.
E përsëris, në dëgjimet e para buxhetore që do të mbahen, ne me urgjencë do të kërkojmë mjetet financiare për dhënien e pagave jubilare për të gjithë të punësuarit në SHSKUK që i plotësojnë kushtet e parapara në KKS.
Po ashtu, ne si menaxhment nuk dëshirojmë që të tentojmë të cenojmë të drejtën e asnjë të punësuari në SHSKUK për të realizuar të drejtën e tij sipas zgjedhjes së tij, por kemi kërkuar mirëkuptim të cilin po e kërkojmë edhe sot dhe asnjëherë nuk kemi shprehur asnjë lloj ‘kërcënimi’.
SHSKUK ka vullnet të plotë që secilit të punësuar t’i japë pagën jubilare sipas KKS dhe për këtë ka ndërmarrë të gjitha veprimet e mundshme duke kërkuar nga Ministria e Financave mjetet financiare që nga hyrja në fuqi e Kontratës Kolektive Sektoriale dhe ju sigurojmë që përpjekjet tona deri në realizim të kërkesave nuk do të ndalen.
Andaj, në bazë të asaj që u tha më lart dhe në bazë të kushteve të punës dhe rrethanave që ne zhvillojmë veprimtarinë shëndetësore e cila në esencë përbën një profesion human para së gjithash, e kemi obligim edhe ruajtjen e institucioneve shëndetësore publike dhe interesin e pacientëve.
Pas ankesës së FSSHK-së, Inspektorati e obligon QKUK-në t’ua paguaj pagat jubilare 1500 punonjësve