Sipas statutit të ri të SHSKUK-së, spitalet e përgjithshme do të kenë pesë shërbime bazike dhe të tjera sipas nevojave. Nga ky institucion thonë se nuk do të ketë mbyllje të shërbimeve në këto spitale, porse bazuar në të dhënat e shfrytëzueshmërisë këto shërbime mund të shndërrohet në poliklinika
Qeveria e Kosovës para disa javësh ka miratuar statutin e ri të Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar. Në këtë statut është përcaktuar edhe organizimi i shërbimeve shëndetësore në spitalet e përgjithshme, shkruan Gazeta Shneta.
Në nenin 11 thuhet se spitalet e përgjithshme do të ofrojnë shërbimet shëndetësore si në vijim: kirurgji e përgjithshme, interno, pediatri, gjinekologji dhe obstetrikë, dhe emergjenca mjekësore.
Në pikën dy të këtij neni thuhet se “Spitalet e Përgjithshme që përcaktohen si Qendra të specializuara mund të ofrojnë edhe shërbime të tjera shëndetësore terciare brenda zonës së përgjegjësisë e cila përcaktohet dhe miratohet nga Bordi Drejtues i ShSKUK-ës”.
Nga SHSKUK thonë se nuk do të ketë mbyllje të shërbimeve tjera ekzistuese në këto spitale.
“Në asnjë mënyrë nuk parashihet mbyllja e shërbimeve! Spitalet e përgjithshme parimisht janë të obliguara të ofrojnë së paku pesë shërbime të nivelit sekondar shëndetësor (Kirurgji e përgjithshme, Shërbimin internistik të përgjithshëm, Pediatri, Gjinekologji me obstetrikë dhe shërbimin shëndetësor emergjent)”, thuhet në përgjigjen e SHSKUK-së.
Megjithatë nga SHSKUK thonë se çdo shërbim tjetër përveç atyre bazike, do të bazohet në të dhëna. Ky është një nga objektivat e Planit Strategjik për zbatimin e studimit të fizibilitetit “Ngritja e infrastrukturës dhe pajisjeve në institucionet e kujdesit dytësor dhe tretësor”, i cili ka përfunduar në vitin 2020, ndërkaq Plani është mirtuar në shkurt të vitit të kaluar me vendim të ministrit Arben Vitia.
“Çdo shërbim tjetër i cili do ofrohet në SP duhet të bazohet në të dhëna (volum i nevojave të qytetarëve për shërbimet e caktuara). Në pajtim me Planin respektiv të veprimit për ngritjen e infrastrukturës në nivelin sekondar dhe terciar në funskion të zbatimit të tijë (Ky dokument ka derivuar nga studimi i fizibilitetit të WBIF që do të thotë se është i bazuar në evidencë), do ndërmirren veprime për racionalizimin e shërbimeve në ShSKUK me theks në Spitale të përgjithshme!”, kanë deklaruar nga SHSKUK.
“Pas raportimeve të përvjetshme në ShSKUK është vërejtur se ka Reparte në SP ku shfrytëzueshmëria e shtretërve është 10%. Në këto raste konsiderojmë se nuk ofrohet vlera për paranë por edhe ka rënie të cilësisë dhe sigurisë së ofrimit të shërbimeve shëndetësore. Natyrisht se në raste të tilla duhet të shqyrtohet mundësia e ofrimit të shërbimeve poliklinike në Spitale të përgjithshme”, kanë deklaruar nga SHSKUK.
Në Planin Strategjik është paraparë krijimi i qendrave të specializuara brenda spitaleve. Një nga shembujt që është marr në këtë rast është reparti i Urologjisë në Spitalin e Përgjithshëm të Pejës. Në këtë repart janë trajtuar 768 pacientë brenda vitit 2017, derisa në spitalet tjera numri është dukshëm më i vogël.
“Në kuadër të strategjisë së re, pacientët nga spitalet tjera rajonale do të referoheshin në repartin e urologjisë në Pejë. Kjo çon në rezultatin që spitali në Pejë do të ishte ofrues i shërbimeve të cilësisë dhe efikasitetit më të lartë në urologji me 2525 pacientë spitalor në vit, ndërsa spitalet tjera mund t’i fokusojnë kapacitetet e tyre në fusha të tjera”, thuhet në këtë dokument.
Sipas dokumentit të cilin e posedon Gazeta, me këtë plan synohet të racionalizohen shërbimet dhe të rritet shfrytëzueshmëria e pajisjeve mjekësore. Poashtu synohet edhe të ulet kostoja e investimeve në pajisje nga 39 milionë në 34 sosh.
“Me këtë lloj riorganizimi mund të kursehen 5 milionë euro dhe të rritet cilësia e shërbimeve dhe shfrytëzimi i pasjijeve”, thuhet në dokument. /Gazeta Shneta/