Stomatologu i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Gjakovë, Bajram Zeqiri, është përfshirë në një përleshje fizike, sot paradite dhe për pasojë ka përfunduar në ndalim policor. Zeqiri po dyshohet se është kapur me një person tjetër, i cili sipas informacioneve të para ia kishte sulmuar vëllanë. Incidentit dyshohet se i kanë paraprirë telashe të mëhershme mes dy palëve, raporton Gazeta Sinjali.
Sinjali ka mësuar ekskluzivisht se përveç Bajram Zeqirit, i dyshuari tjetër është Arbnor Mula, i cili po ashtu është ndaluar, ndërsa vëllai i stomatologut është liruar.
Rastin e ka konfirmuar edhe Policia Rajonale në Gjakovë, ndërkohë që vëllai i stomatologut, pronari i autoshkollës “Agroni”, Agron Zeqiri, ka dhënë rrëfimin e tij lidhur me rastin.
Në një prononcim për Gazetën Sinjali, Agron Zeqiri thotë se Mula e ka sulmuar atë derisa ishte në veturë, në një parking, duke e pritur vëllanë, me ç’rast ky i fundit ka arritur të ndërhyrë për ta ndalur dhe është përfshirë në sulm.
Zeqiri pretendon se Policia i ka shtrembëruar faktet dhe nuk e ka paraqitur rastin, siç thotë ai “ashtu siç ka qenë”, prandaj sipas tij vëllai i tij ndodhet në ndalim
“Unë isha në parking dhe erdhi ai më sulmoi, kur vëllai (Bajrami) dul prej bankës, e pa që po më sulmon, edhe erdh ka ndërhy me largu atë personin. Na e largum edhe e kena blloku, derisa ka ardhë Policia. Vëllai ishte në pauzë edhe na ndodhi qikjo çka na ndodhi.
Vëllai ka ndërhyrë se unë jom konë në veturë kur u ardh ai edhe më ka sulmu. Për me ma largu ato, ka ndërhy doktori. Të dyve na ka goditë ai. Nuk e di qysh Prokuroi munet me marrë atë vendim me mbajtë.
Me pasë marrë masa edhe me parandalu, Policia nuk jonë ka i parandaojnë, por po e shtrembërojnë. Edhe në qet rast, Policia nuk ia ka interepretu Prokurorit rastin qysh osht.” – tha Zeqiri.
Ai tutje i shpjegoi rastet e mëhershme dhe problemet me të dyshuarin Mula, e për të cilat thotë se Policia nuk ka iniciuar rast.
Sipas tij, një shtëpi e uzurpuar në vitin 2021 nga i dyshuari Mula, mund të jetë motivi i incidentit që ndodhi sot.
“Motivi ka qenë se ky person na ka uzurpu një shtëpi në vitin 2021, edhe e kemi lajmëru rastin se jonë ka na keqpërdorin rrymën. Unë e kom denoncu këtë rast më herët, qit person që më ka sulmu sot. Policia nuk ka hap rast. Iu kom thonë që mosmarrja e masave e shkon deri te vrasja. Kom bo edhe ankesë në IPK (Inspektorati Policor i Kosovës)“.
Na jemi njerëz që nuk jemi ëprfshirë kurrë në këso raste. S’na ka ndodhë kurrë me u përlesh me najkond. Nuk jena njerëz as me na rreh dikush e as mu rreh me dikond.” – përfundoi ai.
Nga Policia e Kosovës e kanë konfirmuar se dy persona tashmë ndodhet në mbajtje lidhur me këtë rast.
“Rreth orës 10:05 kemi pranuar informatë se tre persona, meshkuj të moshës madhore në rrugën “Beqir Kastrati” në Gjakovë, ishin përfshirë në një përleshje fizike. Policia ju ka përgjigjur rastit dhe të njëjtëve ju është ofruar trajtim mjekësor. Me vendim të prokurorit të shtetit dy persona janë ndalur në mbajtje si dhe është iniciuar rast “lëndim i lehtë trupor”.” – thuhet në përgjigjen e Policisë.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.




